Gentian Çala, profili i një kandidati opozitar
Gentian Çala, mjeku psikiatër me një përvojë 25 vjeçare, është një nga kandidatët e listës së hapur të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” duke qenë propzimi i vetëm nga Partia e Lirisë për Qarkun e Korçës. Çala në këtë kandidim vjen si Sekretar Politik i PL-së në Qarkun e Korçës dhe si anëtar i kryesisë të kësaj force politike. Ai ka drejtuar prej 10 vitesh degën e PL-së të Bashkisë Pogradec, ku ka pasur rezultatin më të mirë nën drejtimin e tij në zgjedhjet e vitit 2017, ku PL (LSI në atë kohë) mori rreth 19% të votave.
Çala në karrierën e tij profesionale ka punuar në periudhën 1996-1999 si mjek i familjes në Qendrën Shëndetësore në Proptisht. Në periudhën e konfliktit në Kosovë, Çala shërbeu si mjek në një kanp të refugjatëve të luftës në Pojskë, e më pas u zhvendos në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku bëri specializimin në lëminë e psikiatrisë dhe një trajnim disa mujor për urgjencat psikiatrike në Qendrën Sptalore Universitare të St.Ettiene në Francë. Çala do të ishte themeluesi dhe drejtuesi i parë i Repartit të Urgjencës dhe të Mjekimit Intenziv Psikiatrik, në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK. Më pas do të kishte disa detyra në qendrën spitalore universitare të Kosovës, ku do të ishte drejtor i Klinikës së Psikiatrisë, anëtar dhe më pas Kryetar i Komisionit Etiko-Profesional të QKUK-së, si dhe kryetar i Komisionit për Cilësi të Shërbimeve në QKUK. Nga fundi i vitit 2010, Çala u rikthye në qytetin e tij ku ka punuar si mjek psikiatër në Spitalin Bashkiak të Pogradeit, ku në periudhën 2013-2017 ka qenë edhe drejtues i institucionit.
Çala ka pasur disa detyra (sekretar dhe anëtar kryesie) në disa shoqata profesionale si Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës, Shoqata Shqiptare e Psikiatrisë dhe Lidhja e Psikiatrisë Shqiptare.
Çala ka qenë një zë publik opozitar, aktiv në aksionet opozitare, aktiv në media me tema profesionale dhe qëndrime politike. Ai është shquar për diskursin e moderuar dhe për qasjen bashkëpunuese.
Çala është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Çala vjen në këtë garë duke sjellë një personazh me një karrierë thuajse 15 vjeçare në politikë, duke sjellë me vete edhe një platformë personale të fokusuar te grupet e interesit në qarkun tonë, posaçërisht për ata më pak të favorizuar. Profili intelektual dhe i moderuar, bëjnë që Çala të kërkojë mbështetje përtej sinoreve politike ku bën pjesë.

