Një ditë më parë, këshilltari i Këshillit Bashkiak të Pogradecit, Arbër Male, denoncoi mungesën e mirëmbajtjes në varrezat e qytetit. Ndërkohë, ditën e sotme në redaksinë e Pogradecipress.al kanë mbërritur denoncime të tjera nga qytetarë të ndryshëm, të cilët raportojnë se e njëjta situatë është e pranishme edhe në varrezat e fshatrave.
Ndërkaq, fondet e akorduara për mirëmbajtjen e varrezave duket se nuk po shkojnë për destinacionin e tyre, por përfundojnë në xhepat e përfituesve. Qytetarët nuk marrin asnjë shërbim në terren, ndërsa situata e mirëmbajtjes së varrezave vijon të mbetet e pandryshuar prej vitesh. Bashkia e Pogradecit nuk ka reaguar përballë kësaj problematike, pavarësisht se çdo vit nga tarifa vendore mblidhen 12,774,600 lekë.
Përballë këtij fakti, mbetet e paqartë se për çfarë përdoren këto fonde, të cilat duket se nuk shkojnë për qëllimin për të cilin janë mbledhur. Situata aktuale tregon qartë një abuzim dhe keqpërdorim të fondeve publike, ndërsa ende nuk ka transparencë mbi shumat e përvetësuara dhe mënyrën se si menaxhohen paratë për këtë shërbim jetik./Pogradecipress.al


