KORÇË- Ish-shefi i Kufirit në Korçë, Stiljan Pasho është dërguar për gjykim, ndërsa akuzohet se lejoi kalimin e 26 kg kanabis nga kufiri drejt Greqisë. Prokuroria e Korçës i ka dërguar dosjen gjykatës dhe për gjykim çon edhe një tjetër bashkëpunëtor të Pashos, të dy të akuzuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë dërgon në gjyq ish shefin e Sektorit të Shërbimeve në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, Stilian Pasho dhe shtetasin E.G. për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim parashikuar në nenin 283/a/2 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1207 të regjistruar pas informacioneve të mbërritura në rrugë operative se punonjësi i policisë, Kryekomisari Stilian Pasho, me detyrë Shef i Sektorit të Shërbimeve në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, është i përfshirë në veprimtari të kundërligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike, prokuroria provoi se ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin tjetër të hetuar, E.G. lejonte transportimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë”, njofton Prokuroria e Korçës.
Rasti i ish-shefit të Kufirit në Korçë bëri bujë në media, pasi ai favorizoi hapur Lorenco Likën që të transportonte 26 kg kanabis drejt Greqisë. Pasho jo vetëm që nuk lejoi punonjësit e tjerë të policisë që të ushtronin kontroll ndaj makinës së mbushur me kanabis, por që të sigurohej për kalimin e drogës hipi në të njëjtën makinë me trafikantin derisa e kaloi në territorin grek. Më pas, vetë Pasho u kthye në territorin shqiptar në këmbë.
Prokuroria e Korçës thotë se nga hetimet ka rezultuar se ish-shefi i Kufirit në bashkëpunim me ikën dhe personin tjetër të dërguar për gjykim, por edhe me persona të tjerë të paidentifikuar, realizuan qëllimin e tyre për të trafikuar drogën drejt Greqisë. Nëse kanabisi do të hidhej në treg do kapte vlerën 75.000 – 117.000 euro.

