Policia Rrugore Korçë
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë, ditën e sotme, kanë zhvilluar një aktivitet sensibilizues me nxënësit e klasave të gjashta të shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”, Korçë.
Ky aktivitet konsistoi në bashkëbisedime interaktive dhe shkëmbime eksperiencash të ndërsjellta me nxënësit e kësaj shkolle, të cilët shfaqën interes maksimal përsa i takon njohurive të sigurisë në rrugë.
Efektivët e Policisë kanë shpjeguar rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor, sinjalistikës vertikale e horizontale, rëndësinë e vendosjes së rripit të sigurimit, shmangien e përdorimit të celularit apo pijeve alkoolike gjatë drejtimit të mjetit. U fol edhe mbi shkelje të ndryshme të drejtuesve dhe penalitetet përkatëse.
Nxënësit iu kanë drejtuar punonjësve të Policisë, shumë pyetje, për të cilat ata kanë marrë përgjigjet e duhura dhe të kuptueshme për moshën e tyre. Gjithashtu nxënësit kanë veshur jelekët fosforeshentë, për pak minuta, në shenjë sensibilizimi, dhe kanë dhënë mesazhe mbi rregullat e qarkullimit rrugor.

