Sa herë bie borë në Korçë kuptoj që bora është e paprekshme.
Lexoj dalldinë virtuale nga i pari i fshatit tek i fundit dhe bindem që bora në Korçë bie mbi çati,shtëpi,pallate,pemë,buste, monumente,kullë,por nuk bie në tokë.
Se po të binte në tokë,e di bashkia çfarë do t’i kishte bërë.
Ore, kusur nuk do t’i linte; do ia merrte shpirtin duke e kriposur dhe pastruar,por ç’e do,nuk bie në tokë. Pse kot paguajme ne nga 1 milion euro në vit për pastrimin e qytetit,ja për këto ditë,ku borën e shijojmë dhe nuk e pastrojmë.
Bora që bie në Korçë ka status të veçantë paprekshmërie. Bora nuk preket,nuk kriposet,nuk pastrohet.
Se mos iu shkon mendja dhe pyesni pse nuk kalon ndonjëherë borëpastruesja,të paktën në rrugët kryesore?
Aty të rrije bora,derisa ta shkrijë dielli,se asgje njerëzore nuk mund ta prekë borën tonë.
Ata 3 mijë pensionistë,mes tyre qindra të vetmuar, të bëjnë si të bëjnë,se nuk do prishë bashkia magjinë e borës,se atyre iu duhet të blejnë ushqime,ilaçe,apo se mund të kenë nevojë të shkojnë tek mjeku.
P.S. Momenti më i bukur i ditëve të dimrit në Korçë mbetet pastrimi i ngricës në trotuare me fshesë.

