Një ditë pas djegies së plotë të banesës dhe apelit të Ndreko Lakos kanë ardhur dhe reagimet e para. Kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo, Prefekti i Qarkut Korçë, z. Nertil Jole, Kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Erjon Nexhipi, dhe Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë Korçë, z. Arjant Qasolli, kanë deklaruar se janë marrë masa emergjente për sigurimin e kushteve të përshtatshme për këtë shtetas. Së pari, janë dërguar pako ushqimore dhe higjiene, si dhe orendi shtëpiake provizore. Ndërsa pritet që e gjithë banesa e djegur t’i nënshtrohet rikonstruksionit brenda pak kohësh.
Së bashku me pushtetin vendor, ndihma për 62-vjeçarin është ofruar edhe nga organizata lokale. Reagimi nga Bashkia e Korçës, Emergjencat Civile pranë kësaj bashkie, Prefektura dhe Këshilli i Qarkut erdhi pasi rasti u bë publik, ndërsa vetë krerët e këtyre institucioneve janë angazhuar për zgjidhjen përfundimtare të kësaj problematike.