Foto e realizuar me AI
Duket së përgjatë kësaj vere u pa që situata e turizmit nuk ishte ashtu siç thuhej në media në Pogradec. Operatorët turistik bëjnë të ditur se në krahasim me vitin e shkuar ditët kur ishin 100% të rezervuar, ishin më të pakta. Ajo që u pa ishte se dhe pushuesit ishin kryesisht ditor, ose thënë vizitor të shumtë nga brënda Qarkut. Një fakt i cili nuk duhet të kishte ndodhur, është kthimi i Pogradecit në një destinacion fundjave gjatë verës, pasi synimi dhe politikat e turizmit synonin që niveli i pushuesve të jetë i njëjtë gjatë gjithë javës në verë.
E njëjta situatë është pasqyruar në fshatrat turistik të Tushemishtit dhe Linit, sidomos dhe në Drilonin që është ende kantier ndërtimi. Kjo gjendje nuk vjen për shkak të operatorve turistik, të cilët kanë rritur cilësinë e shërbimit dhe konkurojnë ndjeshëm me çmim jugun. Shkaku real është politika e dobët promovuese dhe investimet për infrastrukturën turistike, gjithashtu dhe varfërimi i qytetarëve Shqiptarë, të cilët nuk përballojnë më pushime.
Politikat promovuese duket se kanë dështuar në Pogradec, pasi ngritja e dronit në fundjavë afër liqenit apo festat në periferi dhe fshatra nuk sjellin interes për pushuesit. Pavarsisht jetës së pasur artistike brënda në qytet dhe aktiviteteve kulturore, duket se turistët janë të painformuar në shumë raste për to, për shkak të një politike të dobët vendore për turizmin dhe promovimin.
Gjithashtu dhe guida rajonale përsëri mbeti e dështuar edhe këtë vit, pasi secila nga bashkitë “lufton” për hesap të saj veç e veç dhe nuk kanë interes të krijojnë bashkëpunim. Rezervimet e shtatorit ishin një tjetër farsë e përhapur në publik, pasi numri i turistëve përgjatë këtij muaji ishte shumë hërë më i ulët se në 3 vitet e fundit sipas të dhënave nga hoteleria.
Ndërsa sfida e rradhës e cila nuk premton shumë supriza, është turizmi katërstinor i cili në Pogradec zbehet, pasi fokusin real përsëri e ka Korça me aktivitetet tashmë të kthyera traditë dhe atmosferën e veçantë. Pyetja reale që ngrihet është nëse ka një politikë të dobët në sektorin e turizmit nga mungesa e njohurive në këtë fushë, apo nga keqdashja? Qytetarët shpesh shprehen me rezerva ku thonë se turizmi nuk bëhet as me filmime dronash, e as me blogje ku serviret gallatë e palogjikshme dhe jo profesionale.
Turizmi këtë vit u godit madje dhe nga ngjarjet e rënda të cilat u regjistruan në qytet, duke përmendur shpërthimin e një sasie eksplozivi në një lagje të Pogradecit dhe vrasjen e Egli Progës, të cilat shtuan pasigurinë tek pushuesit që më pas zbrazën qytetin. Ndërsa nëse mediat i referohen hyrjeve në doganat e juglindjes për numrin e turistëve të huaj, atëhërë le të kujtojme dhe të pyesim veten sa herë hyn dhe del një Pogradecar në Maqedoninë e Veriut? Gjë e cila nënkupton të dhëna fiktive dhe aspak reale për numrin e turistëve.

