Avokat Gentian Serjani:
“Gjykata pranoi kërkesën e prokurores për ta lënë në arrest me burg 21-vjeçarin. Qëndrimet dhe argumentet tona ishin që të kishte një masë më të lehtë sigurimi personal, duke marrë parasysh situatën. Nëna e mitur sot nuk ka mundësi ekonomike të ushqejë fëmijën e sapoardhur në jetë. Fëmija ka nevojë për qumësht dhe kush do ta ushqejë? Ishte vetëm 21-vjeçari që punonte dy punë për të mbajtur familjen. Punonte edhe turni i tretë, por edhe gjatë ditës për të siguruar mbajtjen e familjes. Në familjen e tij nuk ka person tjetër, pasi nëna dhe babai kanë ndërruar jetë; është vetëm ai dhe motra që jetojnë në atë familje.
Sot kemi dorëzuar një kërkesë nga vajza e mitur drejt gjykatës për lëshim autorizimi që ajo të lidhë martesë ligjore me babain e fëmijës, sepse ka qenë me vullnet të lirë që në momentin e parë që janë bashkuar e deri në lindjen e fëmijës. Ata kanë qenë çift që është përkujdesur rregullisht gjatë muajve të shtatzënisë për të pasur një shtatzëni të rregullt. Fatkeqësisht, gjykata e certifikoi kërkesën e prokurorisë, edhe pse u munduam të tregojmë se bëhet fjalë për komunitetin rom, ku martesat e hershme janë një traditë që duhet të parandalohet dhe jo të jetë i vetmi ndëshkim kur pasoja ka dalë tashmë. Duhet t’u ofrojmë mundësi kur janë në shkollë, kur kanë nevojë për trajtim social dhe psikologjik.
Me gjithë këtë situatë të rëndë psikologjike, nuk kemi parë asnjë psikolog të ofruar nga institucionet vendore për nënën e mitur. Ne e lamë atë nënë të mitur sot, me fëmijën, në mëshirë të fatit.
Ajo nuk ishte e celebruar zyrtarisht për shkak të moshës së vajzës, ndaj sot depozituam një kërkesë për lëshim autorizimi, që me të drejtë, një vajzë që ka lindur një fëmijë, të kërkojë autorizim. Djali nuk e dinte moshën e vajzës, e ka marrë vesh para dy muajsh, kur kishin vizitën te mjeku gjinekolog dhe iu kërkua një certifikatë personale e bashkëjetueses.”

