Ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov nga Gollomboci bëri një deklaratë për mediat në lidhje me rezultatet e regjistrimit të popullsisë sa i përket minoritetit maqedonas:
“Nuk jam i informuar se si u zhvillua ky census në Shqipëri, megjithatë ky është një problem diplomatik. Ja kam lënë shtetit shqiptar që ta diskutojë dhe do t’i japim edhe ne mendimet tona. Është e drejtë individuale e çdo qytetari që të shprehet ashtu siç mendon dhe në fund do t’ja lemë institucioneve shtetërore të thonë fjalën e fundit.”
Në lidhje me aktivitetin që organizohet në Gollomboç, nëse do të jetë aktivitet edhe për shtetas bullgarë dhe për ata që janë në proces të marrjes së pasaportës bullgare, ministri u përgjigj:
“Si Ministri e Kulturës e RMV, e kemi theksuar që gati çdo vit për 19 vite me radhë që këto janë ditët e kulturës maqedonase në Prespë të Shqipërisë. Ndaj, kultura është ajo që i bashkon njerëzit: maqedonas, shqiptarë, etj. Problemi i identifikimit është një problem më vete.”
Sa i përket akuzave nga AMIE, ministri nuk kishte një përgjigje.
Kujtojmë se censusi që u zhvillua në vendin tonë në muajt shtator-nëntor të vitit 2023 ka dhënë një panoramë më të qartë të përbërjes etnike në vendin tonë. Pakica maqedonase është deklaruar në masë me kombësi bullgare, çka ka ngritur shumë pikëpyetje dhe ka hapur debate në lidhje me rezultatet e censit.

