Dimri dhe petku i bardhë i borës që mbulon fshatrat e Devollit të Sipërm dhurojnë pamje magjepsëse gjatë kësaj periudhe të vitit.
Ndër më të vizituar mbeten Sinica, Arrëza dhe Qyteza. Dëbora mbi shtëpitë e gurta krijon një atmosferë unike për të apasionuarit pas natyrës dhe qetësisë.
Mes bardhësisë mbi çatitë e gurta dhe rrugicave të ngushta, këto fshatra duken sikur kanë ngecur në kohë. Shtëpitë karakteristike, prej të cilave fatmirësisht del ende tym, dhe heshtja e dimrit sjellin një përvojë unike për këdo që ngjitet drejt Devollit të Sipërm për të parë nga afër një copëz Shqipërie që ende ruan identitetin e saj.
Sipas banorëve, pamjet mbresëlënëse të natyrës, arkitektura e stilit tradicional, kulinaria e veçantë dhe mikpritja, pa lënë pas edhe infrastrukturën në të cilën është vën dorë, po e bëjnë zonën gjithnjë më tërheqëse. Fshatrat e Devollit të Sipërm janë ndër zonat me atraksione të shumta kulturore dhe natyrore në Qarkun e Korçës, ende të paeksploruara nga turizmi masiv.Potenciali i lartë turistik, i ndërlidhur me mikpritjen unike të vendasve, po bën që këto zona të fitojnë gjithnjë vëmendje, duke u kthyer në destinacion të shfrytëzueshëm si pjesë e ofertës së larmishme turistike që ofron Shqipëria.

