Vazhdojnë problematikat në aksin rrugor Qukës–Qafë Plloçë, konkretisht në lotin e dytë, në afërsi të kthesës së fshatit Trebinjë.
Traseja e rrugës ka pësuar çarje dhe fundosje, duke bërë që qarkullimi të kryhet vetëm në një korsi, pasi kjo pjesë e rrugës paraqet rrezik për lëvizjen e automjeteve.
Kompania përkatëse ndodhet në terren dhe po punon për normalizimin e situatës, ndërsa pritet ndërhyrja edhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili është njoftuar për problematikën.
Vlen të theksohet se rruga Qukës–Qafë Plloçë ka pasur problematika të shumta, edhe pse ka vetëm 5 muaj që është inauguruar. Situata u përkeqësua nga reshjet e muajve nëntor dhe janar, të cilat sollën probleme serioze, ku masive dherash dhe shkëmbinjsh ranë në trupin e rrugës. Në rastin e parë u gjet një zgjidhje alternative duke hapur një bypass, ndërsa në rastin e dytë rruga u mbyll për rreth 10 ditë.
Më të rrezikuar nga kjo situatë ndihen drejtuesit e mjeteve, të cilët shprehen se punimet janë të dobëta dhe se kanë frikë të qarkullojnë në këtë rrugë.
Nga ana tjetër, ata theksojnë se e gjithë kjo situatë e rëndë vjen si pasojë e neglizhencës institucionale dhe keqmenaxhimit të miliona eurove të investuara në këtë aks rrugor.
Kujtojmë se ky aks rrugor ka pasur një kosto ndërtimi prej 260 milionë eurosh dhe janë dashur 16 vite për t’u inauguruar.

