Siç dihet, festat e fundvitit e kthejnë Korçën në kryeqytetin e festimeve. Kjo traditë është konsoliduar prej vitesh, ndërsa ofertat turistike dhe atmosfera festive mbeten ndër më të veçantat në juglindje të vendit.
Një fluks i lartë vizitorësh nga e gjithë Shqipëria dhe nga jashtë saj u regjistrua veçanërisht këtë fundjavë, e cila përkonte me ceremoninë e ndezjes së dekoreve festive.
Në një deklaratë të fundit, kryebashkiaku Sotiraq Filo bëri të ditur se Korça është plotësisht e rezervuar deri në janar. Sipas të dhënave zyrtare, në gjithë qarkun numërohen rreth 150 struktura akomoduese, me mbi 4000 shtretër, të përqendruara kryesisht në qytet dhe në fshatrat turistike të Dardhës, Voskopojës, Boboshticës dhe Vithkuqit.
Megjithatë, duke qenë se fluksi i vizitorëve ishte disa herë më i lartë se kapacitetet, një pjesë e konsiderueshme e tyre zgjodhën të akomodoheshin në Pogradec pas festimeve. Në këtë mënyrë, mund të thuhet se i gjithë rajoni juglindor ishte në qendër të atmosferës festive që vetëm Korça di ta krijojë.
Përveç vizitorëve që udhëtojnë me mjete private, nuk mungojnë as paketat turistike të agjencive, të cilat vijnë kryesisht nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi. Agjencitë e kanë përfshirë juglindjen e Shqipërisë në ofertat e tyre për shkak të kombinimit të atraksioneve turistike dhe çmimeve dukshëm më të ulëta krahasuar me zonat e tjera të vendit.
Institucionet e pushtetit vendor kanë planifikuar një sërë aktivitetesh, shfaqjesh dhe koncertesh përgjatë gjithë ditëve deri më 31 dhjetor.
Ndërkohë, rajoni i juglindjes është përballur me trafik të lartë gjatë këtyre ditëve, por fatmirësisht nuk janë regjistruar incidente.

