8.4 C
Pogradec
9.2 C
Korçë
8.4 C
Bilisht
7.6 C
Ersekë
8.8 C
Maliq
8.9 C
Liqenas
Friday, January 16, 2026

Pogradec/ Gjysmi i tregut u “mbyll” nga tatimet! Në qytet u reagua vetëm për shtesat e lokaleve të luksit…

- Advertisement -

Nga Armand Braho

Në këtë vend ku gënjeshtrat kanë zyrë shtypi dhe të vërtetat qëndrojnë në rresht për të paguar tatim, spektakli i ndëshkimit vazhdon me të njëjtën skenografi, më i dobëti, më i pambrojturi, më i thjeshti është gjithmonë ai që paguan faturën!

Sot në pazarin e qytetit, shirita të verdhë dhe vula tatimore i ishin ngjitur dyqaneve të vogla si plagë të hapura mbi një trup të lodhur. Aty, ku djersa ngjitet në ballë dhe duart nuk kanë kohë për të numëruar humbjet, shteti vjen jo si partner, por si xhandar. Dhe disa media? Mediat heshtin. Ose më keq, flasin me zë të trashë për “trazirat” që u shkaktuan hoteleve që u detyruan të heqin tavolinat apo ngrehinat nga trotuaret dhe rrugët e qytetit të Pogradecit. Tavolina dhe ngrehina që për vite me radhë pushtuan hapësira publike me leje klienteliste, të porositur me shumë para dhe të blerë shtrenjtë, “sot që liruan qytetin, dëmtuan turizmin Pogradecar” siç i thonë ata që “dine” të shkruajnë por nuk guxojnë të pyesin.

Ironia është therëse është se ndërsa disa media lëshojnë klithma për shtesat e luksit mbi asfalt, për ulëset perandorake në hije të pemëve të vjedhura dhe hapsira të grabitura, ku drekojnë dhe darkojnë ata që paguajnë me lekët e popullit, askush nuk bëzan për kasollet modeste ku shiten mollë, domate, sallata, mbase ndonjë kastravec, prodhime të tokës, të dorës së familjes, të një ekonomie që mbahet me bishtin e kazmës, jo me tendera të printuara me ar.

Ku janë titujt e mëdhenj për fermerin që mbyll derën? Ku janë analizat për shitësin që s’ka më mjete për të vazhduar? Apo këta nuk kanë lidhje me ndonjë drejtor, nuk pinë kafe në oborret e e ndonjë institucioni, nuk kanë miq në rrjete? Sepse ta themi troç, nëse do kishin, dyqani s’do u ishte bllokuar.

Mediat që ngrihen peshë për një karrige në trotuar dhe nuk hapin gojën për kasollen që bllokohet në mes të korrikut, janë pjesë e së njëjtës simfoni të heshtjes dhe të hipokrizisë. Ato bëjnë zhurmë kur preket rehatia e të lidhurve, por nuk e dëgjojnë ulërimën e padukshme të të pambrojturve. Kam një bindje, nuk i porosit kush të mbajnë qëndrime të tilla, por duan t’i bëjnë përshtypje si heronj të civilizimit, atyre pak që kanë shumë pushtet në këtë vend të vogël.

Ndërkohë, tregtarët e vegjël, ata që nuk pushtojnë, por shpresojnë, që nuk gënjejnë, por mbajnë frymën e ekonomisë së ndershme,  përballen me represion, me fletë-gjoba që bien si gjyqe pa avokat. Dhe në këtë heshtje të dirigjuar, një shoqëri e tërë humbet më shumë sesa një mollë pa u shitur, humbet drejtësinë, moralin, dhe humanizmin.

Ndoshta është koha të kuptojmë se një shoqëri që i lë fermerët dhe tregëtarët e vegjël në baltë dhe mbron trotuaret e dekoruar dhe fortifikuar me luks dhe investim të lejuar mbi palejueshmëri, nuk ka të ardhme, por vetëm hijen e një padrejtësie që shërbehet çdo ditë, me shumë dekor, por pa asnjë shpresë.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit