Pogradec/ Historia gazmore nga fushata e vitit 2001: PS me arka pjeshkash, PD me thasë mielli
Nga Armand Braho/ Një histori jo fort e largët, por që kalon çdo kufi absurdi, është ajo e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001 në Pogradec, ku partitë politike përdornin çdo mjet të mundshëm për të grumbulluar vota. E sjellur nga kujtimet e një kolegu, i cili ma tregoi këtë episod kalimthi, ngjarja është sa komike, aq edhe treguese e realitetit politik të asaj kohe.
Në kulmin e fushatës së atij viti, Partia Socialiste në Pogradec solli dy maune me arka pjeshkash nga Greqia, të inventarizuara për t’u shpërndarë ndër militantë apo një target grup të caktuar. Por, me të mbërritur mjetet, dhjetëra qytetarë u mblodhën në afërsi të ish Gjykatës, për të marrë pjeshkët. Vetëm pak minuta më vonë, situata doli jashtë kontrollit: arkat përfunduan të përmbysura dhe pjeshkët u shpërndanë si “torta e pavarësisë në 2012-ën”. Madje, në kulmin e rrëmujës, militantët nisën të gjuanin me pjeshkë edhe drejt grupit të xhirimit të televizionit lokal Poradeci (ARV), që ndodhej aty për të filmuar ngjarjen. Sipas informacioneve, pamjet filmike ndodhen ende në arkivin e atij televizioni, tashmë të mbyllur.
Ajo që e bën edhe më gazmore këtë episod janë thashethemet e mëvonshme, sipas të cilave pjeshkët e shpërndara ishin me hormone.
Nga ana tjetër, banorë të tjerë rrëfejnë se në një ambient sportiv në fshatin Starovë, shpërndaheshin thasë me miell nga Partia Demokratike. Edhe atje shpërndarja bëhej me lista, dhe përfitonin vetëm ata që premtonin votën për PD-në.
Edhe pse nuk kanë kaluar shumë palë zgjedhjesh, këto mbeten ndër tragjikomeditë më përfaqësuese të fushatave elektorale në tranzicion, në një kohë kur ligji dhe rendi funksiononin më shumë në teori se në praktikë. Ndërsa qytetarët, të mbingopur me pjeshkë dhe miell, shprehnin vullnetin sipas interesit të çastit.

