Në fshatin e Starovë, buzë liqenit të Pogradecit, jeton një burrë që ka shkruar historinë e arsimit në këtë trevë. Ali Sadikaj, tashmë 85 vjeç, është një nga ata mësues që i ka kushtuar jetën e tij edukimit të brezave të rinj. Me një përvojë të pasur dhe një përkushtim të palëkundur, ai rrëfen me krenari dhe nostalgji momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.
Në vitin 1985, Profesor Aliu u vlerësua si një nga 10 “Mësuesit e Dalluar” të rrethit të Pogradecit, një nder që pasqyroi gjithë mundin dhe pasionin e tij për arsimin. Karrierën e kaloi mes nxënësve në shkollat e fshatit Rrëmenj dhe Starovë, ku jo vetëm mësoi, por edhe edukoi breza të tërë. Ai shërbeu si mësues deri në vitet e para të demokracisë, kur u pensionua, por nuk u tërhoq nga pasioni për dijen dhe mësimdhënien.
Qindra nxënës dhe dhjetëra gjenerata të rinjsh kaluan nga klasa e tij. Ata nuk ishin thjesht nxënës, por të ardhshmit profesionistë të vendit, të formuar me rigorozitet dhe përkushtim nga mësues që nuk ishin vetëm udhëzues akademikë, por edhe edukatorë të karakterit dhe disiplinës.
“Dikur, në shkollë mbizotëronte autoriteti dhe respekti,” thotë ai me një ndjenjë keqardhjeje. “Sot kjo gjë është zbehur. Fëmijët janë bërë më të padëgjueshëm dhe mësuesit e rinj nuk po e bëjnë siç duhet misionin e tyre.”
Mësues Aliu kujton me mall kohën kur nxënësit, pavarësisht vështirësive ekonomike, sakrifikonin çdo gjë për të ndjekur shkollën. Ai rrëfen se kishte fëmijë që ecnin kilometra të tëra për të arritur në klasë, shpeshherë me këpucë të vjetra e veshje të varfra, por me një dëshirë të madhe për të mësuar. “Sot, fëmijëve nuk u mungon asgjë, por shpesh nuk vlerësojnë mundësitë që kanë,” thotë ai me një psherëtimë të lehtë.
Teksa flet për kolegët e tij të dikurshëm, profesor Aliu emocionohet. “Shumë prej tyre nuk janë më mes nesh, por kujtimi i tyre mbetet i pashlyer. Ata ishin mësues të vërtetë, të cilët e shihnin arsimin si një mision dhe jo thjesht si një punë,” shprehet ai.
Sadikaj nuk i kursen kritikat për sistemin arsimor të sotëm. Ai është i zhgënjyer nga fakti që sot për të qenë mësues nuk kërkohet më ekselenca, por shpeshherë në këtë profesion hyjnë maturantët me notat më të ulëta. “Dikur, për të qenë mësues, zgjidheshin më të mirët. Sot, për fat të keq, kjo nuk ndodh më,” thotë ai, duke ngritur një shqetësim që, sipas tij, po ndikon në cilësinë e edukimit.
Megjithëse vitet kanë kaluar, dashuria dhe respekti i ish-nxënësve për profesor Aliun nuk është zbehur. Çdo 7 Mars, ai merr letra urimi dhe tufa me lule nga ata që dikur ishin fëmijë të etur për dije e sot janë profesionistë të suksesshëm. Disa prej tyre madje kanë ndjekur rrugën e tij, duke u bërë mësues dhe duke përcjellë vlerat që dikur u mësoi ai.
Në moshën 85-vjeçare, Ali Sadikaj mbetet një figurë e ndritur e arsimit në Pogradec. Edhe pse nuk qëndron më në klasë përpara nxënësve, ndikimi i tij është ende i gjallë në mendjet dhe zemrat e atyre që patën fatin të mësojnë prej tij. Dhe për një mësues, kjo është fitorja më e madhe./Pogradecipress.al

