Nga Genti Çela/ NDRIÇIME PA NJERËZ
Është fundjavë, në qytet janë vendosur edhe për këtë fundvit zbukurimet ndriçuese të fundvitit, copy-paste me çdo vit tjetër (nuk po merrem këtu me kostot e fryra vit pas viti).
Ndriçimi i tyre duket sikur nxjerr më shumë në pah boshatisjen e një prej qyteteve më të bukur të vendit, për mua më i bukuri në botë.
Mpakje nga boshatisja migratore.
(600 mijë të rinj kanë braktisur Shqipërinë në 10 vitet e fundit dhe Pogradeci patjetër renditet në krye të listës).
Bjerrja e kohës stok, si diçka e pavlerë, transformon këdo në një zëdhënës të pafuqishëm asgjëje, nën trysninë e një pafuqie për të ndryshuar realitetin, monotoninë.
Jeta kulturore dhe intelektuale është mbështjellë me një masë heshtjeje.
Pashallarët e kuq lokalë, vazhdojnë të zaptojnë çdo pëllëmbë nga ku mund të gëlonte sadopak logos.
Para syve tanë kalojnë vitet e pakthyeshme të brezave, që duke mohuar shpirtin e lirë, nënshkruajnë mbijetesën nën hijen e pushtetit, duke vrarë identitetin dhe lirinë.
Dalja nga kulla e indiferencës do të rikthente disi shpresën për të parë Pogradecin si një mundësi të përkryer për të jetuar këtu, në këtë pasqyrë të një parajse ujore të perëndishme.
Një shkrimtar i shumëcituar shkruan se do të donte një dhjetor me drita të fikura dhe njerëz të ndezur.
Ndërsa ne në Pogradec, do të donim thjesht njerëz.