6.7 C
Pogradec
5.8 C
Korçë
4.7 C
Bilisht
5.4 C
Ersekë
4.9 C
Maliq
6.6 C
Liqenas
Sunday, January 26, 2025

Pogradec/ Shpëtuan 31-vjeçarin nga vetëv*rasja. Të rinjtë heronj: “Nëse shpëton një njeri, ke shpëtuar gjithë njerëzimin”

- Advertisement -

Ditën e sotme në Pogradec, një 31-vjeçar tentoi t’i jepte fund jetës. Nën efektin e narkotikëve dhe pas kritikave të familjarëve për të hequr dorë nga përdorimi i tyre, ky shtetas hipi në dritaren e apartamentit në katin e gjashtë, në lagjen nr. 4 të qytetit. Fillimisht, nëna e tij, një grua e moshuar, tentoi të mos e lejonte të birin të hidhej, por më pas dy të rinj, 19-vjeçari Ernest Dautllari dhe Erik Oshafi, të cilët po kalonin pranë pallatit, vrapuan për të ndërhyrë pasi panë 31-vjeçarin që po tentonte të hidhej. Ata ndërhynë dhe neutralizuan situatën, duke shpëtuar jetën e tij. Të rinjtë, të emocionuar, deklaruan: “Nëse shpëtoni një jetë, keni shpëtuar gjithë njerëzimin.”

Njëri prej tyre rrëfeu:

“Ne, në atë moment, ishim në xhami për t’u falur pasi jemi besimtarë. Pasi përfunduam ritualin, u nisëm për në shtëpi. Gjatë rrugës dëgjuam disa gra dhe fëmijë që bërtisnin. Kur ngritëm kokën lart, pamë një djalë në katin e gjashtë, mbi motorin e kondicionerit, që po tentonte t’i jepte fund jetës. Fillimisht, i folëm duke i thënë se nuk duhet ta bënte, sepse ishte ende i ri.

Pas rreth katër minutash, mbërritën dy policë, të cilët ishin njoftuar nga njerëzit e mbledhur në vendngjarje. Policia filloi t’i fliste me fjalë të mira për ta bindur të hiqte dorë nga akti. Ata u përpoqën ta mbanin të qetë për disa minuta, por kur panë se ai nuk po ndryshonte mendje, një polic tentoi të ngjitej lart, por u kthye duarbosh. U ngjit përsëri, por edhe herën e dytë nuk arriti ta ndalonte.

Në atë moment, kuptuam se duhej të ndërhynim. Vendosëm të ngjiteshim vetë, pavarësisht frikës, sepse na erdhi shumë keq për atë person. E njihnim edhe më parë. Fillimisht u ngjita unë, më pas edhe shoku im dhe një polic.

Kur mbërrita lart, pashë që dera ishte e mbyllur. Tentova ta shtyja, por nuk hapej. Më pas, përdora një dru për ta hapur. Kur hyra brenda, pashë që personi po godiste nënën e tij me brryla në fytyrë. Ajo, nga lodhja, e la të lirë. Në atë moment, u hodha drejt tij, i kapa bluzën dhe e tërhoqa brenda. Ndërkohë, thërrisja për ndihmë, sepse ai vazhdonte të tentonte të shkonte drejt dritares për t’u hedhur.

Personi thoshte se ishte i lodhur nga fjalët e njerëzve dhe ndihej i bullizuar. Dukej se nuk ishte në vetëdije të plotë dhe mendoj se kishte konsumuar alkool. Në momentin që e futa brenda, kraharori mu mpirë, sepse nuk më kishte ndodhur kurrë një ngjarje e tillë. U qetësova vetëm kur pashë se aty mbërritën policia, ambulanca dhe zjarrfikësja. Kur e shpëtuam, aty ishin vetëm dy policë; forcat e tjera mbërritën më vonë.

Brenda banesës ishim vetëm unë dhe nëna e tij, e cila ishte e moshuar dhe mezi po rezistonte. E bëmë këtë veprim vetëm për hir të Zotit. Them që kush shpëton një jetë, është njësoj sikur ka shpëtuar gjithë njerëzimin.

Pasi përfundoi ngjarja dhe u larguan policia dhe ambulanca, u larguam edhe ne. Nuk i thamë asgjë familjeve tona. Nuk e dinim që akti ynë ishte bërë publik derisa pamë që lajmi dhe videoja ishin shpërndarë në rrjetet sociale. Ndihemi shumë të lumtur që shpëtuam një jetë njerëzore.”

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit