Nga Armand Braho
Sa të sigurt janë sot fëmijët në shkollë?
Mjedisi i shkollës konsiderohet si një vend i sigurt nga shumë prindër, pasi këta të fundit i besojnë fëmijët e tyre këtyre institucioneve. Koha që fëmijët kalojnë në mjediset arsimor është padyshim shumë e gjatë dhe supozohet që qëllimi kryesor është edukimi dhe mësimi. Por në realitet, mjedisi shkollor, veçanërisht në shkollat e Juglindjes, ka dëshmuar shpesh se nuk janë aspak të sigurta dhe nuk po përmbushin funksionet e tyre bazë.
Nëse i referohemi vetëm rasteve të bëra publike, evidentohet se janë të shpeshta episodet ku fëmijët dëmtohen pasi largohen nga procesi mësimor nga agresorë të ndryshëm ose ndërmjet tyre. Ata shpesh përfshihen në konflikte apo ekspozohen ndaj rrezikut të shitësve të lëndëve narkotike që veprojnë pranë institucioneve arsimore, raste dhe këto evidente në Qark. Ajo që e rëndon edhe më shumë këtë situatë është edhe denigrimi i figurës së mësuesit, ku në vend që ky profesion të mishërojë edukimin, ndodh e kundërta.
Një shembull tronditës është rasti i Bledar Duros në Korçë, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse të tij 14-vjeçare përmes mesazheve në rrjetet sociale. Ç’është më e rëndë, institucionet arsimore ishin të njohura me problemet që e ndiqnin këtë individ, i cili kishte qenë prej vitesh i varur nga alkooli, madje disa herë i shtruar në spital dhe sërish vazhdonte të ushtrojë detyrën e mësuesit. Kjo ngre një pyetje të rëndësishme: Pse nuk funksionojnë mekanizmat që duhet të shmangin raste të tilla?
Edhe pse dhuna ndaj nxënësve shpesh ndodh jashtë ambienteve shkollore, episodi i fundit tregon se as brenda shkollës nuk mund të konsiderohet e sigurt. Nuk po flasim këtu për mësuesit që japin gjithçka nga vetja për hir të profesionit dhe dinjitetit të tyre, por për ata individë të padenjë, të kamufluar nën figurën e edukatorit, si dhe për institucionet e papërgjegjshme që dështojnë në kryerjen e misionit të tyre.
Rasti i Bledar Duros është shembulli më i qartë i kësaj papërgjegjshmërie. Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar (DRAP) në Korçë dhe shkolla “Sotir Gura”, me dijeni të plotë për të kaluarën problematike të këtij mësuesi, e mbajtën në detyrë deri në momentin kur ai u arrestua nga Policia. Përgjigjja e tyre ishte thjesht: “E pezulluam nga detyra”. A është kjo një masë e mjaftueshme për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen?
Ngjarjet shqetësuese nuk ndalen këtu. Brenda kësaj jave, një 16-vjeçar në ambientet e jashtme të shkollës “Raqi Qirinxhi” në Korçë u plagos në fytyrë me thikë nga një bashkëmoshatar, duke rrezikuar humbjen e njërit sy. A ka përgjegjësi institucioni arsimor që ta mbrojë fëmijën deri kur të shkojë në banesë? Të gjitha këto tregojnë se arsimi sot nuk është më një mjedis i sigurt. Prindërit me të drejtë janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre, gjë për të cilën kanë reaguar mediatikisht mbi rastin e fundit.
Sot vendosa të mos flas për atë që ndodh brenda procesit mësimor, sepse pak nga pak po bëhet e qartë që shkolla, dikur e njohur si institucion i dijes dhe edukimit, po humbet thelbin e saj. Vitin e kaluar, me studentët e mi të degës “Shërbim Social”, zhvilluam një anketë për 6 bashkitë e Qarkut Korçë dhe rezultatet e saj ishin jashtëzakonisht shqetësuese. Ju ftoj t’i lexoni:
Pothuajse 40% e pjesëmarrësve janë të mendimit se shkolla më e afërt është e sigurt për nxënësit. Kjo tregon një perceptim relativisht të mirë për sigurinë e objekteve arsimore në afërsi të banesave të tyre.
39.2% e pjesëmarrësve kanë zgjedhur opsionin “Nuk e di”, duke treguar pasiguri ose mungesë të informacionit lidhur me sigurinë e shkollave në zonën e tyre.
21% e të pyeturve mendojnë se shkolla më e afërt nuk është e sigurt. Kjo është një shifër e rëndësishme që kërkon vëmendje për të adresuar shqetësimet dhe pasigurinë e komunitetit.