7.6 C
Pogradec
9.3 C
Korçë
7.9 C
Bilisht
8.8 C
Ersekë
8.6 C
Maliq
8.5 C
Liqenas
Friday, December 13, 2024

Nga Agim Xhafka/ SHTËPIA POSHTË TE LUMI…

- Advertisement -

SHTËPIA POSHTË TE LUMI…

Nga Agim Xhafka.

Lulja ato pak çaste pushimi rrinte te dritarja. Mbështeste brrylat te parvazi, afronte fytyrën te xhami dhe fluturonte me mendje nga një pemë tek tjetra, nga një lëndinë te pylli atje lart. Fshati i saj, dikur me shumë banorë, ishte katandisur në shtatë shtëpi që nxirrnin tym. Të tjerët zbritën me vrap në qytet ose emigruan kudo, deri në Amerikë e Australi. Nuk i mbante dot ajo tokë mbushur me gurë, me dhé shterpë, që po të hidhje tre fara misër mbase mbinte njëra, por kallirin më pas do e kishte si goja e xha Saniut. Një dhëmb ngritur e tre hequr.

Lulja mbaroi në fshat shkollën tetëvjeçare. Më tej nuk mundi se shkolla e mesme poshtë te lumi u mbyll. Nga që firuan nxënësit iu vu çelsi.

Nëna e babai u trishtuan. Lulja ishte vajza e vetme e tyre dhe shpresonin së paku të bëhej infermiere ose mami për fshatin. Por s’qe e thënë. Ndaj dy-tre vjet i rrinin pranë duke e përkëdhelur dhe ngushëlluar që i ra një fat i tillë.

Kur u rrëzuan njerëzia e fshatit si përrua i rrëmbyer në fushat poshtë gati u bënë edhe te familja e Lules. Panë ëndërra sikur u rehatuan buzë detit, e shihnin veten të lumtur mes valëve dhe gëzimit të njerëzve atyre anëve. Pastaj guxuan e i thonin vetes se Lulja do bëhej doktoreshë, babai do të niste punë në një fidanishte bredhi nga që ishte agronom, nëna do rrinte te arka e një supermarketi… E kështu endnin pëlhurën e planeve të ardhshme. Bënë gati enët, rrobat, fotografitë dhe…javën e fundit nëna e Lules pëson hemoragji celebrale. Humbet dorën dhe këmbën e majtë, i treten fjalët. Nuk i nxjerr dot. Shfryn ajër, inat, duf, merzi, dhimbje,tmerr, makth, frikë e sytë…ah, sytë i hap aq shumë sa duket sikur do gëlltisë atje krejt shtëpinë. Atë germadhë të lënë pasdore nga që mendonin se do nisnin fluturimin.

Gjëma ua ktheu botën përmbys. Prandaj vendosën të iknin sa më parë. Tani duhej të ishin pranë një spitali, apo ambulance së paku. Por jeta ka llogaritë e veta. Askund nuk mund të çohej nëna në se nuk gjendej më parë një shtëpi, të rregullohej së paku një dhomë se i sëmuri është si fëmija. Do kujdes e delikatesë sa një qelq që mban në dorë. Ditët e para drama mori para krejt treshen e familjes. Lulja dhe babai veç qanin. Lotë për nënën, por edhe lotë për fatin e tyre të zi. Pranë iu gjend Resuli, fqinji i tyre. Kishte punuar mësues, edhe Lules i kishte dhënë mësim e tani ishte pa punë. Nuk merrte akoma pension sa sapo mbushi 50 vjetë. Kishte ngritur nja 20 koshere bletësh dhe me mjaltin e tyre e shtynte vitin. Dy djemtë i kishin ikur në Greqi prej ca vitesh. E ndihmonin dhe ai ndjehej si beu i fshatit, siç thotë një shprehje. Bënte jetë normale në anormalitetin e asaj zone. Së fundi e bënë gjysh dhe Lena, gruaja e tij, më shumë rrinte në Greqi se në fshat. Djemtë e Resulit i propozuan babait të Lules, kur erdhën dy ditë në fshat, të shkonte me ta e të punonte. Nga që merreshin me bujqësi mendonin se afendikoi do e kishte vlerë një agronom si ai.

Edhe Lulja mendoi se kjo ishte gjetje e mirë. Kishin nevojë për para. Jo vetëm për ilaçe, por edhe për ushqim e për veshje.

Një mëngjes babai puthi gruan dhe vajzën e iku si tek legjendat që Lulja mësonte në shkollë. Ishte pranverë e nuk u ndje aq dhimbja, vetmia. Më pas erdhi vera me ngrohtësi e punë. Babai u duk një javë ndërsa dimrin po e shtynin vetëm nëna e sëmurë dhe Lulja. Edhe fqinji ishte vetëm. Gruaja rriste nipërit. Ishin bërë dy tashmë.

Një mëngjes ai po çante dru dhe kur lëshonte sopatën me forcë nxirrte dhe një ah të fortë. Kjo pasthirrmë gjoksi i krijoi mornica Lules. Iu duk sikur dikush e godiste me kamxhik, por jo aq fort sa t’i dhimbte. Pastaj u zgjat te dritarja dhe po shihte krejt bustin e Resulit. Ua, goxha muskuj, çfarë shpatullash, sa leshator…E hera e parë që atë natë pa ëndërra konkrete me ngasje,me trupa që rrokullisen, ngatërrohen dhe djersë që shkëmbehen. U zgjua e trembur. Iu duk sikur nëna qe anuar e gati po rrëzohej. U çua vrrulltas dhe e rehatoi. Pastaj vetiu i shkoi koka nga shtëpia e fqinjit. Paska dritë, tha me vete. Po lexon apo po mendon? U shtri dhe i fshiu mëkatet e gjumit.

Qysh nga ajo ditë gjente sebepe të shkonte te Resuli, të fliste me të, të rrinte dhe gjatë. Gjoja interesohej një herë për bletët, gjoja pyeste herën tjetër per djemtë e sikur donte të dinte si do ishte moti nesër. Sigurisht që i rrinte nënës te koka, ia kryenten çdo shërbim. Madje i lexonte dhe libra, plot libra. Por sytë e saj ishin pa shkëlqim e sikur përçonin një kërkesë, më lini të shkoj atje lart, mos më mbani lidhur në tokë.

Një ditë,kur Resuli po i mësonte Lules se si mblidhej mjalti nga zgjoi, Lulja ia kapi dorën dhe sikur e ftoi në një afëri më të madhe. Rreth tyre nisi të vallëzojë ngasja. Po i turbullonte si aroma e alkoolit te gryka e kazanit të rakisë. Lulen e kapi një afsh i nxehtë e kur do rrëzohej drejt krahëve të Resulit ai u ngatërrua te një hoje që i ra në tokë. U ul menjëherë, e mblodhi mes grushtave e me vrap iku drejt shtëpisë së vet. Lulja shtangu, ngeli statujë te lëndina mbi shtëpi. Ai nuk doli për disa ditë. Deri sa një mëngjes u pa duke ndërruar ca pllaka mbi çati. Lulja ishte gati të vraponte atje, kur nga monopati poshtë pa një siluetë. Po zmadhohej e u duk qartë. Qe babai. Hodhi një bluzë sipër e nisi vrapin, por babai u takua më parë me Resulin. Hynë në shtëpinë e tij dhe doli që atje pas një ore. Zemra vajzës po i rrihte fort. Plot frikëra iu mbush trupi. Mos Resuli i kishte treguar për teprimet e saj, mos jam sjellë si e pavlerë, mos nuk iu vura fre ndjenjave. Plot tronditje të moshës e çoroditën. Nuk ekuilibrohej dot.Fizikun e kishte të zjarrtë, jeta e kërkonte të ftohtë. Edhe lulet çelin mes gurëve kur u vjen çasti, arsyetonte. Nuk presin fushën, lëndinën,apo tokën pjellore. Po gëlltitej nga halli kur i ati sa hyri vrapoi te dhoma e së shoqes, e puthi, qau ca çaste e foli:

-Lule, flasim pak nga dhoma tjetër!

Goca u fik. Zvarrë hoqi këmbët dhe u ul te karrikja në fund, pranë ballkonit. Të jem gati, i erdhi mendimi.

-Fola me Resulin për ty,-nisi me sytë përtokë.

Lulja u ngurtësua. Por nuk nxorri asnjë fjalë se babai vazhdoi:

-Ke shkuar disa herë te shtëpia e tij?

-Po…

-Të mësoi dhe si mblidhet mjalti.

-Po.

-Ai ishte shumë i shqetësuar për ty. Se ka vite e vite që ai të do shumë…

-Çfarë? – e lëshoi si klithmë.

-Po, po. Ai edhe kur ke qënë në shkollë më ka thënë që të ka dashur shumë. Por ka merak se vetëm,fillikat, pa moshën tënde në fshat ti mund të kalosh çaste të rënda. Ai gjykon si prind, si mësuesi yt, ndaj më dha ca këshilla. Lum ne që e kemi komshi. Fat kur ke pranë njerëz të mençur.

Lulja mori frymë lehtë, por thellë dhe gati sa nuk bërtiti, rrofsh, o njeri i mirë.

Babai u afrua te vajza e përqafoi fort dhe gjatë. Lulja ndjeu aromën e tij, atë erë që e kishte si të lëkurës së vet.

-Do ikim në Greqi të tre, – i premtoi ai. -Kam gjetur shtëpi edhe punë për ty. Do na ndihmosh në fidanishte. Nuk u bëre mjeke e njerëzve, por po bëhesh e bimëve. Dhe atje ka plot moshatarë të tu. Ka rini, kupton, rini!

E përmendi dy herë fjalën rini, sikur zbuloi bisedën që bëri me Resulin. U skuq, u ndje në turp, por babai iu afrua ngjitur e i tha:

-Duhej të kishim ikur më parë. Ky vend ka veç kujtime, nuk na jep jetë, dashuri, vazhdimësi…

Pas një javë tre mushka u nisën poshtë lumit. Resuli i shoqëroi deri te ura.Pastaj kur hipën në makinë uroi Lulen:

-Lulëzofsh atje ku po shkon!.

I hipi mushkës e nisi ngjitjen e malit. Makina vallëzonte mes luginës. Dukej e gëzuar, sikur dhe ajo e kuptonte që po udhëtonte per jashtë shtetit…Lulja si lule e lëshuar nga sythi. Në pritje të ditëve me diell…

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit