Nga: Armand Braho
Kjo foto është realizuar sot në orarin e drekës në zonën Minoritare Maqedonase në Pustecë, aty ku ka plotë njerëz puntorë dhe të sjellshëm. Fatkeqësia e kësaj zone ashtu si shumë vende në Shqipëri është shpopullimi masiv nga të rinjtë. Por ajo që më vrau realisht është puna me ngarkesë fizike që ende bëjnë të moshuarit e zonës, pamje që të kthejnë shumë pas, madje të kthejnë tek një realitet që nga brezi im nuk është jetuar.
Jemi fiks në vitin 2024, ku satelitët Shqiptar eksplorojne territore. Jemi në vitin ku pensioni do merret në bankomat. Jemi në vitin ku shërbimet publike janë digjitalizuar. Jemi në fazën që kemi blerë dronët Bajraktar. Jemi në periudhën e negociatave për hyrje në BE. Jemi në periudhën e “bumit” turistik. Jemi në periudhën kur Shqipëria është bërë si Europa.
Po po, madje jemi në periudhën ku në fushat bujqësore u zbrazën nga paijsjet e mekanizuara dhe aty ku ende punohet pak, po punohet me krah dhe bel. Jemi në kohën kur këta puntorë nuk janë më djemtë e rinj, por ata të moshuar që kanë mbetur. Barrat me plotë gojë janë mbi shpatullat e atyre grave tashmë të moshuara, që mbajnë shtëpinë, shkojnë në mal dhe punojnë në fushë. Në fund ngarkohen me pesha në shpinën e tyre, për mbijetesë. Edhe ku?! Në vendin ku flitet për të drejtat e grave, madje financohen dhe shumë projekte.
Kjo shoqëria jonë digjitale, ku në fakultete duhet mësuar teknologjia dhe ku besojmë çdo gjë që propaganda na thotë, është e pështirë dhe e shëmtuar. Nuk mund të ketë dy realitete, ai që është në terren dhe ai që është në rrjete sociale.