Opinion nga Agim Xhafka
U bënë shumë vite që verës unë dhe gruaja pushojmë në Pogradec. Një dyjavor fund korriku a fillim gushti. Është qytet i bekuar. Plot magji dhe freski. Ashtusesh psh në korrik e pikë djerse nuk ke. Apo në gusht,nuk guxon të qethesh se të mbërdhin koka,trupi të mbushet me mornica. E normal që mes kësaj dashnie të lind dëshira të blesh një apartament qoftë dhe të vogël sa një pëllëmbë. Hotelet janë të mirë fare,po shtëpia është tjetër gjë. Kështu e mbarsëm idenë e gati e blemë një apartament. Edhe parvjet,edhe vjet. Por te noteri na dhitej gjithçka. Ndërtuesit nuk kishin ende në dorë lejet jo më hipotekat. Dëshpërimin ia nxirrja unë gruas e ajo mua. Pogradeci nuk na kishte faj. Po nuk rreshtëm. Provuam e riprovuam. U rritën çmimet dyfish e sërish nuk u tërhoqëm. Se Pogradeci ka liqen,ka oksigjen,ka frymëzim që ta ngre diafragmën bash te rruaza e parë e shtyllës kurizore.
Një ditë unë si investitor strategjik i këtij projekti ia arrita. Gjeta një vilë. Më mirë katin e një vile. Qe një shtëpi e rrënuar që u rindërtua ashtu siç qe dhe katin sipër e mora unë. Nuk pyeta sa bën e a ka hipotekë. E përlava. As çmimin nuk e diskutova nga që trembesha mos e blinte dikush tjetër. Firmosa,pagova,rrëmbeva gruan në Tiranë e futa në makinë dhe ia hapa sytë kur hymë brenda. Ngeli e pataksur,me gojë hapur. Po e gëzuar. Doli në ballkon me vrap se nga dritarja pa kubetë e një kishe. Për kishën vdes ortodoksja ime! E sa po bëhej gati të shprehej,o sa e lumtur jam,dëgjova:
-Nuk po shoh liqenin Gimo,ku është liqeni?
-Jemi në Korçë,zemër. Korça nuk ka liqen. Korça ka det.
Më pa me dyshim. Se ajo e di që Korça s’ka det. Ndërsa po më pyeste me sy,i thashë:
-Ka detin e kujtimeve të mija. Ja,kisha atje është Shëndëllia ku unë kam fëmijërinë rreth saj. Më poshtë shtëpia e prindërve ku u linda dhe u rrita. Te kjo rrugicë janë shokët e mij;Jani,Iliri. Shoqet e mija Irena,Adriana,Ida. Më tej shtëpia e teze Merit,shtëpia e xhaxhait,tutje shkolla ime,restoranti “Dinamo” ku ne u martuam, “Valbona” që më sjell ndërmend mbrëmjen e maturës,bulevardi…
-Boll,boll se me llafka nuk ua del kush ju korçarëve.
Dhe ma mbylli gojën jo me dorë,por me një puthje. Dmth që po e jetonte dhe ajo ëndërrën e Korçës sime me det…Dhe premtuam të dy;veç dushin do e bëjmë në Korçë. Notin do e bëjmë në liqen,si ngjalat te gjoli i Lazgushit.