Në rikujtesën e maturës së vitit 1990 në Gjimnazin “Muharrem Çollaku” mbetet një shfaqje teatrale e veçantë. Konkretisht bëhet fjalë për një shfaqje e shkruar nga Ruzhdi Pulaha, e cila sipas të dhënave është frymëzuar mbi vetë ngjarjet reale të ndodhura në një shkollë të qytetit të Pogradecit në vitet e fundit të komunizmit, specifikisht teatri “Mësuesi i Letërsisë”. Kjo shfaqje teatrale e shkruar nga Pulaha, u vu në skenë nga mësues dhe nxënës të “Muharrem Çollakut”, konkretisht regjizori Tomi Mato përgatiti dramën, ndërsa trupa teatrore e përbërë nga nxënës dhe mësues të shkollës, u ngjit në skenën e pallatit të kulturës në Pogradec disa herë, ku salla ishte plotë në të gjitha netët me Pogradecarët që e mirëpritën shfaqen dhe që më pas konkuroi në Maliq mes trupave teatrore të shkollave të mesme të Shqipërisë dhe fitoi një nga çmimet e festivalit.
Por, ajo që bie më tepër në sy për këtë shfaqje të vënë në skenë nga Tomi Mato, është prezenca e disa nxënësve që sot janë intelektualë dhe profesionistë të respektuar të qytetit të Pogradecit. Në rolin e drejtorit të shkollës, atëherë nxënës ishte Gentian Çala, sot një mjek Psikiatër me kontribute të shumta në komunitetin e Pogradecit. Ndërsa në rolin e mësuesit të letërsisë, ishte përsëri një nxënës tjetër i gjimnazit, konkretisht Ilir Shyta, sot Profesor në Universitet, Kryeredaktor në Televizionin SOT7 dhe gazetar me përvojë më shumë se 25 vjeçare.
Mes trupës, e angazhuar ishte dhe Albana Prifti në rolin e mësuese Nafies. Prifti sot është mësuese dhe mban njëherazi pozicionin e nën Kryetares së Këshillit Bashkiak Pogradec. Figura të tjera të mirënjohura dhe të respektuara të qytetit, ishin dhe Alketa Torra në rolin e vjehrrës së mësuesit, Denada Shuke në rolin e nxënëses dhe Genti Berberi në rolin e kryetarit të komitetit.
Duke qenë se është një shfaqje, e cila u realizua rreth 30 vite më parë, pati dhe ndryshime të personazheve, për të cilët informacioni është i vakët, por emrat e mësipërm janë vetëm një pjesë e atyre që kanë deputuar. Gjithsesi kjo është një ndër shfaqet e cila ka mbetur gjatë në memorjen e Pogradecarëve dhe sot pas kaq shumë vitesh, personazhet që kanë vënë në skenë këtë shfaqje janë individë të faktorizuar me influencë në komunitetin e qytetit.
Doktor Gentian Çala kujton disa nga detajet e asaj shfaqe. “Tomin e kemi lodhur shumë, sepse si adoleshentë që ishim, shpesh herë nuk i merrnim provat seriozisht. Ai u tregua shumë i duruar me ne. Kjo mendoj që ishte çelsi i suksesit, atij i nevojitej një “trupë teatrale” për të udhëhequr, gjë e cila i jepte kuptim ekzistencës pasi ishte në pension (ose prag pensioni), kurse neve na nevojitej protagonizmi i skenës. Kishim vështirësi me rekuizitën, unë vesha një kostum të tim eti. Kjo më kujtohet.”, thotë Çala.
Ndërsa Profesor Ilir Shyta është shprehur se: “ Drama “Mësuesi i letërsisë” ishte si të them një lloj parashenjë për atë që më kishte paracaktuar fati, profesionin tim të ardhshëm. Profesor Samiu ishte një tip antikomformist, që donin ta transferonin nga qyteti në fshat, por nxënësit e tij s’e lejojnë të ndodhë kjo gjë. Atëherë nuk e dija shumë domethënien e tipit rebel. U mundova të sjell një rol që ngjiti edhe falë punës së regjizorit të ndjerë, Tomi Mato. Ai ma besoi atë rol, që mbeti në kujtimet e mia. Madje, të jem i sinqertë brenda meje flinte dëshira për të studiuar regjizurë, jo gjuhë letërsi! Keqardhja e gjithë asaj pune është që nuk kam qoftë edhe një fotografi të vetme…“
Ky artikull u realizua nga Armand Braho me ndihmën e veçantë të Doktor Gentian Çalës dhe Profesor Ilir Shytës.