Spitali i Korçës, vendi ku shkon për hall, por ikën me më shumë hall…
Nga: Eduart Bardhushi
Po të hysh sot në Spitalin Rajonal të Korçës, të duket sikur ke hyrë në ndonjë zyrë shtetërore të viteve ’90…mjekët me nerva, infermieret me hundë përpjetë, dhe pacientët që enden sa majtas-djathtas duke kërkuar dikë që t’i marrë seriozisht.
Mjekët? Shumica ecin sikur janë gjysmë-profetë: “prisni pak”, “s’kemi kohë”, “kemi shumë punë”… ndërkohë që po pinë kafe në ndonjë dhomë a zyrë…
Njerëzit vijnë me dhimbje, ata i kthejnë me “eja nesër”, infermieret, nga ana tjetër nganjëherë sillen sikur po bëjnë nder që të flasin, e jo më të të shërbejnë. Të shohin me një sy që thotë: “ ëmo ç’do dhe ti tani!?”
Halli më i madh del kur fillojnë justifikimet: “s’ka mjek”, “s’ka ilaç”, “s’ka aparaturë”, “s’ka këtë”, “s’ka atë”, vetëm s’ka përgjegjësi sa duhet!!!
E çudia më e madhe? Secili prej tyre të sheh si t’i kishe prishur qetësinë, jo sikur je pacient që pret ndihmë.
Në spitalin e Korçës është bërë zakon fjala: “prit pak”.
Fjala “pak” nga ata, do të thotë gjysmë ore, një orë, dy orë… varet në varësi të humorit të ditës, e ndërkohë që pacientët rrinë e presin, mjekët rrinë e komentojnë, infermieret rrinë e shikojnë telefonin, e pacienti? Rri i shkretë, i lutet Zotit që të gjejë dikë me ndërgjegje…
Prandaj njerëzit s’besojnë më, jo se nuk duan, por sepse kur sheh sjelljen e disa mjekëve e infermiereve, të duket sikur ke shkuar të kërkosh nder, jo shërbim…
Pusht’etarët thonë se do ndërtohet Spitali i Ri Rajonal…aq sa u ndërtuan Aeroporti, Stadiumi apo u bë gazifikimi i qytetit…
Spitali i Korçës, vendi ku shkon për hall, por ikën me më shumë hall…

