4.7 C
Pogradec
5.9 C
Korçë
5.6 C
Bilisht
5.6 C
Ersekë
4.7 C
Maliq
5.9 C
Liqenas
Sunday, February 15, 2026

Kullota apo panele diellore? Beteja për jetën e zonave rurale

- Advertisement -

Autore: Ola Mitre | Citizens.al

“Kjo kullotë ka qenë jeta jonë. Atje mblidhnim çajin, shupkat, bimët mjekësore. Tani po na e zëne me panele. Ku t’i çojmë bagëtitë, ku ta gjejmë bukën e gojës?!” rrëfen Luljeta Agolli, banore e fshatit Taç në Kolonjë.

Me duar të forta e të lodhura nga bujqësia e blegtoria ndonëse në pension, ajo tregon sesi vendi ku brezi i saj ka mbijetuar për dekada po i kthehet ngadalë një zone industriale, të mbuluar me panele diellore.

Por, historia e Luljetës nuk është e vetme. Në tre bashki të qarkut Korçë – Kolonjë, Devoll dhe së fundmi në Pogradec – banorët po përballen me projekte që synojnë centrale fotovoltaike mbi tokat pyjore dhe kullosore, hapësira që për ta janë burimi i vetëm i jetesës.

Këto zhvillime, që në planin kombëtar përkthehen si investime në energji të gjelbër dhe tranzicion drejt burimeve të rinovueshme (ripërtëritshme), në nivel lokal janë kthyer në kërcënim të drejtpërdrejtë për jetesën, ekonominë familjare, por edhe për mjedisin.

Si u dhanë kullotat për centrale diellore?

Deri në vitin 2024, dhënia e pyjeve dhe kullotave me qira për ndërtimin e centraleve diellore ishte e ndaluar me ligj. Megjithatë, sipas një raporti të organizatës All Green Centre, dhjetëra leje që përfshijnë rreth 900 hektarë tokë u dhanë nga bashkitë Kolonjë e Devoll, në kundërshtim me ligjin, planifikimin e territorit dhe pa u kryer vlerësime të thelluara të ndikimit në mjedis.

Vetëm me ndryshimet e ligjit “Për fondin kullosor”, që hynë në fuqi në dhjetor të vitit 2024, një fjali e shtuar lejonte ndërtimin e projekteve të energjisë së rinovueshme në këtë kategori toke.

Ndryshimet u bënë pas kërkesës së deputetes së Partisë Socialiste, Edona Bilali. Propozimi bazohej te kërkesat e larta që vinin nga biznesi për centrale fotovoltaike.

Për ekspertët, ky ndryshim tregon qartë se veprimet e mëparshme kanë qenë të paligjshme.

“Kur një gjë ndodh dhe ligji ndryshohet më pas, do të thotë që këtu ka diçka që nuk funksionon. Po ndryshojmë një ligj për diçka që kemi bërë gabim, atëherë ky është gabimi i dytë që ndodh”, thotë Kristi Bashmili, ekspert i mjedisit dhe klimës, njëherësh një prej autorëve të raportit.

Makineri duke sheshuar kullotat për central fotovoltaik, Taç, Kolonjë/Erisa Kryeziu.

Për komunitetet rurale, kullotat nuk janë thjesht hapësira natyrore, por garanci për mbijetesë.

Në Taç, banorët tregojnë se përveç bagëtive, uji që buronte pranë kullotave e që përdorej për vaditje dhe për konsum shtëpiak në rast emergjencash, tashmë është tharë. Paralelisht, kantieri i centralit ka bllokuar kalimin për në tokat bujqësore.

“Tani na e mbyllën (shtegun). Kjo ishte e vetmja rrugëdalje e jona: aty shkonim në arat, aty merrnin ujin, me atë ujë vadisnim. E zunë, e mbyllën,” thotë Luljeta.

Edhe në Çërravë të Pogradecit, shqetësimi është i madh. Në këtë fshat, mbi 20 familje jetojnë me blegtori. Ata kanë investuar vite me radhë, madje duke marrë kredi për të ngritur stalla.

“Kam 200 krerë dele. Ku do t’i çoj?! Më mirë të na marrin edhe ne, të na bëjnë sallam bashkë me bagëtinë!” shprehet i indinjuar një blegtor nga Çërrava.

Qarku i Korçës është një nga më të prekurit nga lejet për centrale diellore, ndërsa të dhënat tregojnë se projektet shtrihen në parcela pyjore apo kullosore të fshatrave Starje, Shtikë-Butkë, Prodan, Rehovë, Qinam, Lëngëz, Qafzez apo disa ngastra në Bilisht, ku tashmë bashkitë Kolonjë dhe Devoll kanë shpallur fitues apo kanë nënshkruar kontratat me kompanitë private.  

Nga natyrore në industriale, ndikimet mjedisore

Sipas raportit të All Green Centre, ndërtimi i parqeve fotovoltaike në kullota dhe pyje sjell pasoja të shumta në mjedis. Kjo duke nisur nga fragmentimi i habitateve, që ndalon migrimin dhe lëvizjen e kafshëve e deri te ndryshimi i peizazhit, që kthehet nga natyror në industrial.

Gjithashtu, ndikimet shfaqen edhe në klimën lokale, pasi sipërfaqet e mëdha të paneleve rrisin temperaturën e zonës dhe mund të ndryshojnë mikroklimat. Ndikimet janë edhe më negative nën kontekstin e ndryshimeve klimatike.

“[…] ulet përthithja natyrore e ujit në tokë. Në zona të pjerrëta, kjo përkeqëson rrjedhjen sipërfaqësore. Sasia e ujit rrjedh më shpejt mbi sipërfaqe të pjerrëta dhe të zhveshura, duke shkaktuar erozion të tokës, gërryerje të kanaleve natyrore dhe shpëlarje të lëndëve ushqyese të saj,” thuhet ndër të tjera në raport.

“Gjithashtu, vërshimi i ujit, nga zona me panele fotovoltaike, mund të ndikojë rrjedhjen në lumenjtë poshtë zonës, duke rritur rreziqet për përmbytje të shpejta në rast reshjesh itensive,” shtohet më tej.

Zhvillime, pa strategji

Por, teksa ndikimet janë të shumta – si për komunitetet, ashtu edhe për mjedisin – sipas Bashmilit dhënia e këtyre sipërfaqeve për centrale nga bashkitë e Kolonjës dhe Devollit ka një mangësi të theksuar në drejtim të dokumenteve strategjike, që vetë bashkitë kanë miratuar. 

“Si strategjitë e zhvillimit të territorit, ashtu edhe Planet e Përgjithshme Vendore nuk janë shprehur qartë mbi hapësira të caktuara ku mund të lejohet ky lloj zhvillimi. Duhet të theksojmë fort që Plani i Përgjithshëm Vendor përcakton zona, të cilat janë natyrore apo zona të cilat janë me përparësi zhvillimin e industrisë,” thotë eksperti.

“Në shumicën e rasteve kemi konvertim të territoreve, qofshin këto pyjore apo kullosore drejt zonave industriale të mbuluara me panele. Kjo sjell atë që është një konsumim i sipërfaqeve natyrore. Nga pikëpamja rregullatore, nuk kanë një bazë strategjike dhe të planeve sesi do zhvillohen më tej,” shton ai.

Paralelisht, ligji shqiptar kërkon që çdo projekt i tillë t’i nënshtrohet Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM). Por sipas monitorimeve të All Green Centre, në shumicën e rasteve, ky dokument është thjesht formalitet.

Makineri duke sheshuar kullotat për central fotovoltaik, Taç, Kolonjë/Erisa Kryeziu.

“VNM-të nuk pasqyrojnë asnjë ndryshim real në projekt, edhe kur evidentohen pasoja të qarta. Ato shërbejnë vetëm për të legjitimuar procesin, jo për ta korrigjuar,” thotë Bashmili.

Gjithashtu, pjesëmarrja e publikut, një element i detyrueshëm me ligj, thuajse mungon.

Në Taç banorët thonë se mësuan për projektin vetëm kur mbërritën buldozerët e kompanisë private, ndërsa ata në Çërravë tregojnë se u ftuan në një dëgjesë publike vetëm disa ditë para se Këshilli Bashkiak ta fuste në rendin e ditës projektin. Për ta, procesi ishte formal dhe pa asnjë peshë.

Arbër Male, anëtar i pavarur i Këshillit Bashkiak Pogradec, e konfirmoi këtë pretendim.

“Konsultimi ishte farsë. Vetëm dy ditë më pas u fut në rend dite. Nuk mundet që të jemi kaq të pandjeshëm ndaj këtyre banorëve, të cilët zhvillojnë ekonominë e tyre, mbajnë familjet e tyre. Me këtë iniciativë i bie t’iu thuhet: ikni sepse këtu nuk keni të ardhme,” thotë Male.

“I bëj thirrje edhe njëherë kryetarit të bashkisë ta anulojë këtë veprimtari, pasi biznese anonime dhe të errëta kanë marrë përsipër të zhvillojnë ekonominë e tyre personale në kurriz të banorëve të Çëravës,” shtoi ai.

Në të njëjtën linjë është edhe Bashmili.

“Ndërtimi i centraleve ka ndikim, jo pak të vogël në shërbimet e ekosistemit, që këto sipërfaqe toke ofrojnë për banorët lokalë. Është shumë e rëndësishme ta theksojmë sepse komunitetet lokale shpesh herë varin gjithë ekonominë e tyre në këto shërbime,” thotë ai. 

Sipas tij, zgjidhja nuk është ndalimi i energjisë diellore, por planifikimi i kujdesshëm.

“Bashkitë duhet të përditësojnë planet e tyre territoriale dhe të përcaktojnë qartë zonat ku lejohet ndërtimi i centraleve, nuk duhet të preken kullotat tradicionale dhe zonat pyjore që përdoren nga komuniteti, ndërsa VNM-të duhet të bëhen me studime të thelluara, jo si formalitet,” shprehet eksperti.

“Është e rëndësishme që të hedhim sytë nga ato që quhen zgjidhje të vendimmarrjes,” përfundon ai.

Burimi: Citizens.al

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit