3.1 C
Pogradec
1.2 C
Korçë
1.7 C
Bilisht
0.8 C
Ersekë
0.8 C
Maliq
2.8 C
Liqenas
Thursday, January 22, 2026

Apel nga lotët, “Lereni në burg sa të bëhem unë avokat”! Etleva Memia: Çfarë përjetova sot…

- Advertisement -

Çfarë përjetova sot… (Ngjarje reale)

Sot ndesha një grua të dhunuar. Me dy fëmijë të vegjël si drita dhe një që priste ta sillte në jetë. Me krahët e kryqëzuar, më shikoi dhe heshti, sikur nuk donte që dhimbjen t’ia lexoja. Sot takova një grua të gjunjëzuar, që lotonte në heshtje sepse bashkëjetuesi, “burri i ëndrrave të saj”, e kishte dhunuar. Dhe mendohu: i pa dehur, i pa lodhur, i pa urtuar… Thjesht kishte dashur të shfrynte mbi të zemërimin e lekëve të munguar dhe zhurmën e fëmijëve, të cilët nuk ishin të tij, por të një ishi zullumqar.

Sot ndesha një grua të dhunuar, të nxirë në fytyrë dhe trup, në shpirt dhe gjithçka që ajo kishte. Por, sot ndesha edhe një fëmijë që më bëri të reflektoj, të lotoj, ta dua atë dhe punën që bëj shumë, ta dua me shpirt çdo moment përkushtimi për ta, për fëmijët e vegjël dhe të pambrojtur. I dridheshin duart e vogla dhe trupi; u mundova ta ngroh, por dridhesha edhe unë teksa dëgjoja fjalët e mëdha, të mbushura me peshë, që dilnin nga goja e vogël e tij. Ato fjalë të rrjedhshme, por të mbështjella me mantel frike e urrejtjeje për atë përbindësh që jetonte në një shtëpi me ta, për atë të paudhë që kishte dhunuar nënën e tij, që kishte fyer dhe lënduar të gjithë. O Zot, sa i rritur mu duk ky fëmijë i parritur!

Sa peshonin fjalët e tij teksa fliste dhe tregonte ngjarjen. Heshta. E mora me vete dhe ndaluam te një dyqan. Më kumbojnë ende fjalët e tij, tek fliste me zë të dridhur: “Të lutem, teta, mos u shpenzo për mua,” më tha, kur tentova të bëj diçka për të, të paktën diçka për të ngrënë. Kur i pyeta, kuptova se nuk kishin mundur të ushqeheshin prej 24 orësh. “Të lutem, teta, unë nuk dua, jam mirë, e ndjej… Ti qenke njeri i mirë o teta, por një gjë dua nga ty, të lutem: vëllain e vogël ushqe, ai po… E di, ai ka nevojë, sepse mbrëmë nuk e ushqeva dot se kisha frikë se mos kërcisnin pjatat dhe ai ulërinte…”

As emrin nuk mundi t’ia shqiptonte dhunuesit. O Zot, një fëmijë-burrë para meje, i maturuar, ekselent në mësime, i aftë të depërtonte me fjalët e shpirtit drejt meje. Një fëmijë që fajësonte veten sepse nuk kishte mundur të shpëtonte nënën e tij nga duart e shpifura të këtij pseudo-burri. “Kam frikë,” më tha, “kam frikë se ai mund të vijë prapë në shtëpi natën, si gjithnjë, dhe unë deri atëherë nuk do të jem rritur sa duhet. Por të lutem, teta, e lini në burg sa të bëhem unë avokat, që të mund të mbroj mamin, motrën që pres të vijë në jetë, vëllain tim të mirë. Lëreni të rrijë atje, sa të bëhem unë burrë që ai të mos ma lëndojë më nënën time.”

Iu skuqën faqet, iu mbushën sytë e bukur me lot. Mundohej të fshihte trishtimin, por ai ndihej; kishte frikë. Një fëmijë që sot donte të ishte burrë. Një fëmijë që ndihej i pafuqishëm të mbronte familjen e tij dhe ne, që ndiheshim kaq të vegjël para forcës së tij njerëzore. Sot u ndjeva e plogësht, e trishtuar, e pafuqishme t’i largoja trishtimin. U ndjeva keq që këtij fëmije ishin munduar t’ia merrnin fëmijërinë.

Sot lotët e mi u bënë një me dhimbjen e këtij të mituri të vogël, të cilin jeta e kishte përballur me një fat kaq mizor. Por, me dashurinë që i kishte marrë nga nëna e tij, edhe pse në pamundësi, ai ishte rritur kaq i dashur, kaq njerëzor, kaq i mirë. Dashuria e bën njeriun të mirë. Falni dashuri — është i vetmi ilaç që shëron dhimbjen që le dhuna.

Sot ika në shtëpi me dhimbjen në zemër dhe mendjen te ai i mitur plot mend. Sot e desha shumë fort punën që bëj, pozicionin që mbaj, lotët që derdha. Sot, emocioni i fortë që mora më bëri të reflektoj për gjërat që duhet të reflektojmë në jetë.

I premtova të voglit të rritur që nuk do t’ia lëshoj dorën dhe, me ndihmën e kolegëve, do të bëjmë të mundur që ai fëmijë të ndihet më mirë dhe t’i largojmë trishtimin.

Punonjese Sociale – Etleva Memia

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit