Që prej 26 janarit vijon protesta e kamionistëve në Maqedoninë e Veriut. Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut ka nisur bllokadën në rreth 10 pika kufitare, me pjesëmarrjen e rreth 370 kamionistëve. Ata protestojnë kundër zbatimit të sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen, duke kërkuar rritjen e afatit të lejuar për qëndrimin e tyre. Autoritetet maqedonase kanë shprehur mbështetje për shqetësimet e transportuesve dhe po kërkojnë zgjidhje, ndërsa protesta pritet të ketë ndikim të ndjeshëm ekonomik në rajon.
Aktualisht, në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, më e madhja në juglindje që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, kamionët vijojnë të qëndrojnë të bllokuar. Kryesisht bëhet fjalë për mjete të tonazhit të rëndë me targa të Maqedonisë së Veriut. Bllokada është planifikuar të zgjasë rreth 7 ditë, ndërsa nëse kërkesat nuk plotësohen, Shoqata e Kamionistëve ka paralajmëruar mundësinë e zgjatjes së protestës.

