🔴 BASHKIA KORÇË MES DREJTIMIT FORMAL DHE PUSHTETIT REAL, PELESHI NË PRAPASKENË, FILO USHTAR I DOBËT I SHEFIT TË TIJ‼️
Edhe për raportin e publikuar në vitin 2025, gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit paraqiten sërish alarmante për Bashkinë e Korçë nën drejtimin de facto të Niko Peleshit, duke evidentuar problematika të theksuara në menaxhimin e fondeve publike, respektimin e kuadrit ligjor dhe funksionimin efektiv të institucionit, pa harruar edhe raportet e dyshimta me përfituesit e tenderave.
Raporti i auditimit i KLSH nxjerr në pah shkelje të vazhdueshme të mekanizamve financiare, mangësi serioze në planifikimin dhe zbatimin e buxhetit, si dhe praktika të papërshtatshme në procedurat e prokurimit publik.
📌 Disa nga gjetjet e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit:
- Nga auditimi u konstatua se Njësia e Auditimit të Brendshëm në planet vjetore të auditimit nuk ka programuar auditimin e fushave kryesore të veprimtarisë së institucionit, të cilat vlerësohen si fusha me risk të lartë.
- Nga auditimi i dokumentacionit tekniko-ligjor të kontratatave të pastrimit të qytetit me firmën private “Korsel Shpk” vihet re moszbatimi i procedurave të dokumentimit të veprimtarisë së kryer.
- Nga auditimi i procedurave të prokurimit publik dhe zbatimit të kontratave për punë publike, në 3 (tre) raste u konstatua se, nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Korçë, nuk ka kryer oponenca teknike për projektet e zbatimit me objekte.
- Nga auditimi u konstatuan parregullsi në hartimin e fondit limit, përzgjedhjen e procedurës së auditimit, kritere jo në përputhje me volumin dhe natyrën e objektit që prokurohet dhe se operatorët ekonomike të shpallur fitues nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara nga vetë bashkia.
- Planifikimi i të ardhurave në disa zëra të ardhurash nuk është mbi baza reale dhe realizimi i viteve të mëparshme nuk është marrë në konsideratë, pasi planifikimi të ardhurave për vitet 2023 dhe 2024 nuk ka asnjë bazë krahasimi me dy vitet e mëparshme 2021 dhe 2022, sepse është rreth 42 % më i lartë. Gjithashtu edhe realizimi i të ardhurave është në nivel jo të kënaqshëm në të njëjtën masë prej 61% për të dy vitet 2023 dhe 2024, duke mos arritur objektivat e përcaktuara në planifikimet vjetore.
- Nga auditimi i procedurave të miratimit të lejeve të ndërtimit dhe lejeve të zhvillimit, u konstatua se në njëmbëdhjetë raste, dokumentacioni teknik dhe shoqërues i projektit ndërtimor, si dhe ai i kërkuar me ligj, nuk është i plotë.
- Nga auditimi i procedurave të miratimit të lejeve të ndërtimit, u konstatua se në tetë raste, objektet e miratuara nuk respektojnë kondicionet urbane, siç janë lartësia e lejuar për katin përdhe me përdorim shërbim, numrin minimal të vend-parkimeve, distancat nga kufiri i pronës, nga trupi i rrugës, si dhe nga objektet kufitare.
- Nga auditimi i procedurave të miratimit të lejeve të ndërtimit, u konstatua se në të gjitha rastet, pra në njëmbëdhjetë raste Bashkia Korçë jo gjithmonë ka kërkuar/respektuar mendimin e të gjitha autoriteteve të cilat duhet të shprehen në lidhje me miratimin e lejeve të ndërtimit.
👉 Gjetjet e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dëshmojnë një situatë serioze dhe shqetësuese në funksionimin e Bashkisë Korçë, ku problematikat nuk paraqiten si raste të izoluara, por si shkelje të përsëritura dhe sistematike të kuadrit ligjor dhe parimeve të mirëmenaxhimit të fondeve publike. Të njëjtat që gjenden edhe në raportet e viteve të kaluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Mangësitë e theksuara në auditimin e brendshëm, praktikat e papranueshme në prokurimet publike, planifikimi joreal i të ardhurave, si dhe parregullsitë e shumta në dhënien e lejeve të ndërtimit, cenojnë rëndë transparencën, ligjshmërinë dhe interesin publik.
⁉️ Këto gjetje ngrenë dyshime të arsyeshme për abuzim me detyrën, shpërdorim të fondeve publike dhe shkelje të barazisë në procedurat konkurruese. Në këtë kontekst, është e domosdoshme që organet ligj zbatuese të veprojnë pa vonesë, duke kryer hetime të plota, të pavarura dhe të paanshme mbi gjetjet e evidentuara nga KLSH, si dhe duke përcaktuar përgjegjësitë individuale dhe institucionale. Vetëm përmes zbatimit të ligjit, ndëshkimit të shkeljeve dhe vendosjes së standardeve të qarta të llogaridhënies mund të garantohet mbrojtja e interesit publik dhe rikthimi i besimit të qytetarëve në një institucion si Bashkia Korçë.

