3.5 C
Pogradec
3.2 C
Korçë
1.8 C
Bilisht
3.8 C
Ersekë
2.7 C
Maliq
3.3 C
Liqenas
Thursday, January 22, 2026

Vrasja e Martin Çeços, gjykata liroi nga burgu 3 autorë e dyshuar! Avokati: Përfundoi afati i paraburgimit…

- Advertisement -

Nevzat Tarelli, avokat i dy autorëve të dyshuar të vrasjes, Valter dhe Edlir Mollaj:

“Nuk është vendim për ndryshimin e masës së sigurimit, por Gjykata e Apelit ka konceptuar humbjen e fuqisë së paraburgimit, që janë koncepte të ndryshme, dhe ka korrigjuar vendimmarrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë.

Për dijeni të publikut dhe të të gjithëve, ligji procedural penal parashikon një kohëzgjatje të afateve të paraburgimit tërësor jo më shumë se tre vjet, kohë gjatë së cilës sistemi gjyqësor duhet të dalë me një vendim të formës së prerë. Kjo kohëzgjatje ka përfunduar në datën 16 qershor 2025 dhe, në momentin që iu drejtova Gjykatës së Shkallës së Parë, me shumicë votash ajo e rrëzoi kërkesën time me një arsyetim që për mua është joprocedural. Ky vendim u bë objekt ankimi nga ana ime dhe Gjykata e Apelit në Tiranë dje e shqyrtoi çështjen, konstatoi humbjen e fuqisë së paraburgimit dhe urdhëroi lirimin e personave.

Në këto raste, ligji parashikon që gjykata nuk mund të japë një tjetër paraburgim, por mund të caktojë çdo masë tjetër sigurimi.

Pse e thashë në fillim të deklaratës se gjykata pjesërisht e ka zgjidhur çështjen dhe pjesërisht ka cenuar interesin e të pandehurve? Jeni të njohur, besoj, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 40, datë 17 qershor 2025, në çështjen Margjeka. Gjykata Kushtetuese në mënyrë përfundimtare sqaroi se arresti në shtëpi është paraburgim, njëlloj si arresti me burg.

Pra, vendimmarrja e Gjykatës së Apelit dje ka shkelur këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese duke caktuar përsëri një tjetër paraburgim, siç është arresti në shtëpi. Gjykata dje kishte vetëm një zgjidhje ligjore: të caktonte masa të tjera, siç është “detyrim paraqitje”, ndoshta edhe me “ndalim të daljes jashtë shtetit”. Këtë kam kërkuar dhe kjo ishte zgjidhja e drejtë e çështjes.

Gjykata ka pranuar të konstatojë humbjen e fuqisë së paraburgimit “arrest me burg” dhe ka caktuar një paraburgim tjetër, “arrest në shtëpi”, çka përbën një absurd procedural.

Ndaj unë, me padurim, po pres të zbardhet vendimi për ta çuar në Gjykatën e Lartë dhe më tej në Gjykatën Kushtetuese, për ta sqaruar çështjen në mënyrë përfundimtare dhe për t’i hequr mekanizmin joprocedural që po përdorin një pjesë e gjykatave, duke dhënë pas mbarimit të afateve të paraburgimit arrestin në shtëpi, i cili është antikushtetues. Këtu kishim vetëm një llogaritje matematikore; çështja nuk është zgjidhur në themel.

Çështja në themel vijon në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë, ku në datën 5 është planifikuar seanca për të vijuar gjykimin sipas detyrave të dhëna nga vendimmarrja e Gjykatës së Apelit në momentin që prishi vendimin. Çështja nga Gjykata e Apelit është prishur dhe kthyer për rigjykim, ndërsa janë specifikuar një sërë detyrash, të cilat prej nesh ishin kërkuar në mënyrë sistematike që në fazën e hetimeve.

Kryesisht, në themel është urdhëruar marrja e të dhënave nga kompania Meta. Jemi në momentin fillestar dhe në rigjykim do të duhet të shprehet mbi kërkesat tona. Gjykata nuk ka liruar dje; ka konstatuar një çështje thjesht proceduriale dhe teknike që lidhet me afatet e paraburgimit.”

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit