Në fshatin Dvoran të Korçës është mbajtur këtë fundjavë Festa e Mollës, një traditë e përvitshme që prej vitesh synon të promovojë produktet vendase dhe të mbështesë fermerët e zonës. Ashtu si çdo vit, ngjarja solli në qendër të vëmendjes kulturën bujqësore të Korçës dhe prodhimin karakteristik të mollës, por ndryshe nga vitet e mëparshme, atmosfera këtë herë ka qenë më e qetë dhe me pjesëmarrje dukshëm më të ulët.
Fermerët e zonës pohojnë se viti 2025 nuk ka qenë i lehtë për ta. Prodhimi i mollëve ka qenë më i pakët për shkak të kushteve të pafavorshme natyrore, megjithatë, shumë prej tyre shprehen të kënaqur me shitjet dhe interesin e tregut lokal.
Një pjesë e prodhuesve të vegjël theksojnë se kanë hasur vështirësi në gjetjen e tregut. Sipas tyre, sezoni i sivjetshëm është më i dobët si në sasi, ashtu edhe në fitim, krahasuar me vitet e kaluara.
Një tjetër problem që mbetet i pazgjidhur lidhet me mungesën e kapaciteteve frigoriferike për ruajtjen e prodhimit. Shumica e frigoriferëve në zonë përdoren vetëm nga pronarët e tyre, ndërsa hapësirat e mbetura nuk janë të mjaftueshme për fermerët e tjerë që kërkojnë të ruajnë mollët për treg.
Edhe pse Festa e Mollës vijon të mbetet një simbol i rëndësishëm për Korçën dhe një formë e ruajtjes së identitetit bujqësor të zonës, këtë vit ajo ka marrë më shumë karakter tradicional sesa ekonomik. Pjesëmarrja e ulët dhe sfidat që po përballin fermerët tregojnë se nevojitet më shumë mbështetje institucionale dhe organizim më i mirë, në mënyrë që kjo festë të mos mbetet thjesht një kujtim folklorik, por të shndërrohet në një platformë reale zhvillimi për bujqësinë e Korçës.

