Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të qytetit të Korçës, ku një vajzë 14-vjeçare dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i pallatit ku banonte. Sipas të dhënave paraprake nga Policia e Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:20, ndërsa e mitura është transportuar menjëherë në spital, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit që e çoi të miturën drejt këtij veprimi ekstrem. Burime pranë policisë bëjnë me dije se janë marrë në pyetje familjarët dhe disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Nëna e vajzës, Sonila Dhëmbi, e cila ka folur jashtë kamerave, shprehet se familja e saj është përballur prej kohësh me bullizim dhe dhunë në lagje, ndërsa shton se konflikti ka nisur disa ditë më parë me disa vajza të tjera të zonës.
“Burrin e kam në burg për dhunë në familje. Kam katër fëmijë. Erdha në shtëpi nga Barmashi i Kolonjës, në lagjen 14 në Korçë. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen rastet e bullizmit. Para dy ditësh, një vajzë e goditi çupën time në kurriz. I thashë asaj që e goditi, të mos i bezdisnin më vajzat e mia. Sot përsëri i shkoi çupës sime ta godiste. Më goditi edhe mua në stomak dhe më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë. U hodh sepse fëmijët në lagje e tallnin, i thoshin: ‘Mamin ta morën në polici, jeni fshatarë.’ Merrni masa, se nuk më lënë rehat,” – deklaron nëna e vajzës.
Policia e Shtetit ka bërë me dije se po heton të gjitha pistat, përfshirë edhe mundësinë e vetëhedhjes si pasojë e bullizmit apo presionit psikologjik.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Korçë / Informacion paraprak
Rreth orës 15:20, në lagjen nr. 14, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i pallatit ku banonte, një shtetase e mitur, rreth 14 vjeçe, e cila aktualisht po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.

