Shkruan Armand Braho/ Ramazan 2025| Një rrëfim për Agjërimin në diktaturë!
Sot, teksa po bisedoja me gjyshen time Fatime Haxhillari, e cila ende ruan një kujtesë të fortë për të shkuarën, nisi të më tregonte sërish për sakrificën e internimit, ngjarje që shpesh më rrëfen kur flasim, pasi kanë lënë gjurmë të thella në jetën e saj.
Me prejardhje nga një familje myslimane, ajo nuk e linte kurrë agjërimin e muajit të Ramazanit. Gjatë kohës kur jetoi në kampin e punës së Plukut të Lushnjes, më tregon se edhe pse Ramazani përkonte me stinët përvëluese, 13 gra të interrnuara që punonin në bujqësi, në parcelat më të largëta, të cilat i përshkonin në këmbë dhe me punë të rënda fizike në fushë, sërish nuk ndalonin agjërimin. Ushqimin dhe ujin i merrnin me vete për të mos rënë në sy dhe kur vinte pushimi i drekës, largoheshin nga të tjerat, duke bërë sikur po përgatiteshin për të ngrënë.
Shpesh, buzët e çara nga të nxehtit e Myzeqesë e tradhtonin gjendjen fizike të grave, të cilat nuk pranonin në asnjë rrethanë të ndalonin agjërimin. Nuk mungonin as provokimet, ofrimi i ushqimit apo ujit, për t’i shtyrë të ndërprisnin sakrificën.
Mes atyre grave, gjyshja ime veçon emrin e Selimes, një zonjë e fisme me origjinë Çame, e cila nuk linte asnjë ditë Ramazani pa e agjëruar. Familjet tona mund të konsideroheshin si një e vetme.
Në mbrëmje, kur afronte ora e iftarit, larg syve të sigurimsave, fshehur nga fshati, familjet që fati ua kishte shkruar të njëjtën histori, mblidheshin në një nga banesat, secili sillte ushqime të përgatitura në shtëpi, të cilat i ndanin së bashku për iftar.
E tregoj këtë histori jo për të lavdëruar sakrificën e tyre, por për të vënë në dukje indiferencën e sotme të shumë personave, të cilët, ndonëse kanë mundësi shumë më të lehta për të agjëruar, nuk e bëjnë.
Ndoshta dikur lidhja me Zotin, nëpërmjet predikimit apo sakrificës, ka qenë e vetmja shpresë për njerëzit e robëruar, të zhveshur nga institucioni i fesë dhe të imponuar me frymën ateiste. Pa dyshim, një vlerësim i pafund për këto heroina që i mbijetuan diktaturës!

