Virozat e stinës janë shkaku që çdo ditë në urgjencën pediatrike të Spitalit Rajonal të Korçës paraqiten deri në 80 fëmijë.
Shumica prej tyre, pasi marrin ndihmën mjekësore, largohen dhe trajtohen në shtëpi, ndërsa një pjesë që shfaqin më tepër probleme dhe kanë nevojë për trajtim më të specializuar shtrohen në spital. Aktualisht, të shtruar janë 17 fëmijë të moshave të ndryshme. Krahasuar me një javë më parë, ka një shtim të dukshëm jo vetëm të rasteve të vizitave, por edhe të shtrimeve në pediatri.
Shpesh ndodh që temperatura e lartë nuk ulet në kushte shtëpie duke përdorur antipiretikë. Kjo përbën alarm dhe frikë për prindërit, të cilët drejtohen në urgjencë. Megjithatë, mjekët sqarojnë se fillimisht virozat është mirë të trajtohen në shtëpi dhe vetëm nëse simptomat përkeqësohen, prindërit duhet të konsultohen me mjekun.
Mjekët këshillojnë prindërit që, nëse fëmijët shfaqin simptomat e virozave të stinës, të paktën gjatë ditëve të para nuk duhet të paraqiten në kopshte apo shkolla, në mënyrë që të parandalohet përhapja masive e tyre.

