Në qytetin e Pogradecit, emri i Marsela Ikonomit është i njohur si një nga mësueset më të vlerësuara për përkushtimin dhe pasionin e saj në arsim. Prej vitesh, ajo është pjesë e stafit pedagogjik të shkollës “Muharrem Çollaku”, ku jo vetëm u mëson nxënësve lëndën e historisë, por edhe u qëndron pranë në rrugëtimin e tyre akademik dhe personal.
Për Ikonomin, çdo brez është i veçantë dhe çdo nxënës lë një gjurmë në jetën e saj. Ajo beson se edukimi nuk është vetëm transmetim i njohurive, por edhe ndërtim karakteresh, dhe në këtë proces, mësuesi ka një rol vendimtar.
Përveç mësimdhënies, ajo është aktive edhe në organizimin e aktiviteteve shkollore, duke zbuluar dhe inkurajuar talentet e nxënësve. Nën udhëheqjen e saj, shumë prej tyre kanë marrë pjesë në olimpiada dhe konkurse të ndryshme, duke sjellë nder jo vetëm për shkollën, por edhe për qytetin e Pogradecit.
Lidhur me mësuesit e rinj, Ikonomi thekson rëndësinë e të kuptuarit të misionit të tyre. “Çdo mësues që del nga bankat e shkollës duhet të kuptojë fuqinë e tij në edukimin e brezave,” shprehet ajo. Sipas saj, mësuesit e rinj duhet të marrin shembull nga kolegët më me përvojë, ashtu siç edhe ajo vetë është frymëzuar nga mësuesit e saj të dikurshëm.
Në prag të 7 Marsit, ajo ndan një mendim të veçantë mbi dhuratën më të çmuar që mund të marrë një mësues: edukatën qytetare të nxënësve. “Dhurata më e bukur për një mësues është të shohë nxënësit e tij të rriten si individë të përgjegjshëm dhe të arsimuar,” thotë Ikonomi. Ndërsa urimi i saj për kolegët është që të ruajnë gjithnjë motivimin për të ndriçuar rrugën e brezave të rinj, të cilët në të ardhmen do t’ua shpërblejnë punën e tyre me sukseset që do të arrijnë./Pogradecipress.al

