Në Shqipërinë ku posti ndërrohet si këmisha, Niko Peleshi ka bërë itinerarin e plotë të pushtetit, prefekt, kryebashkiak, zëvendëskryeministër, ministër i Bujqësisë, ministër i Mbrojtjes, deputet dhe për kurorë finale, kryetar i Kuvendit. Një CV që zhurmon më shumë se çdo raport pune dhe një biografi që ecën me shpejtësi skëterë, ndërsa bilancet rrinë në xhepat e heshtjes dhe në lobet e interesave të ngushtë.
Më 12 shtator 2025, Parlamenti i dha 84 vota dhe duartrokitje, ndërsa opozita si zakonisht ishte në protestë dhe bojkot. Peleshi u ul në karrigen e dytë më të lartë të republikës, me ceremoninë e radhës dhe retorikën e njohur për “stabilitet” e “vazhdimësi”. Politikani i fjalëve të mëdha në retorikë dhe i butë në dukje, por që mbart në xhepa faturat e rezultateve të vogla dhe akuzave të shumta të cilat kanë trokitur shpesh dhe në prokurori!
Rruga deri këtu s’ka qenë pa gropa! “Silicon Mix”, një emër në sektorin bujqësor që në 2019 u bë fjala e ditës në kronikë. AKU e bllokoi por me një firmë, bllokimi u hoq! Prokuroria kërkoi verifikime ndërsa mediat bënë punën e tyre. Asnjë hetim penal i bërë publik ndaj Peleshit nuk përfundoi, por ishte boll sa për t’ia ngjitur në mur një hije dyshimi, që nuk largohet me lustrim protokollar.
Marsi i 2024-s e gjeti në dyert e SPAK-ut për disa orë pyetje. As edhe një njoftim zyrtar i qartë për të hetuarit apo “personin në dijeni”, as edhe një fjali përfundimtare, veçse tabloja e zakonshme shqiptare tym, pa zjarr gjyqësor dhe deklarata, pa përgjegjësi politike e publike.
Në retorikën e opozitës disa herë u hodhën në ajër pretendime se Peleshi kishte abuzuar me fondet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe me tokat në varësi të kësaj ministrie, por përsëri konteksti mbeti vetëm brënda retorikës ditore. Ndërsa edhe si kryebashkiak, “Beu i Korçës” pati mbi supe një tjetër aferë të bërë publike, por kurrë të hetuar deri në fund, atë të sahatëve të ujit. Të pakta kanë qënë ndërkohë bëmat si prefekt!
Dhe ja ku jemi tashmë, Peleshi ka një karrierë që matet me karrige, jo me kapituj pune! Korça e ka pasur kryetar e prefekt, Tirana e ka pasur zëvendëskryeministër, Shqipëria dy herë ministër. Tani e kemi kryeparlamentar. Nëse kërkon të gjesh një gjurmë të madhe, ose një reformë që mban emrin e tij, një standard që u bë ligj, një politikë publike që ndryshoi jetën e njerëzve, mbase do të gjesh më shumë hijen e ngarkimeve dhe shkarkimeve nga pastruesja e një institucioni e deri tek drejtuesi i një dikasteri.
Nga Nesti Angoni