Pogradec/ Një ankesë e mbërritur në redaksinë e Pogradeci Press ngre shqetësimin për gjendjen e rënduar të infrastrukturës në fshatin Malinë, ku banorët prej gjashtë muajsh raportojnë se janë të bllokuar për shkak të dëmtimit të rrugës nga reshjet.
Sipas tyre, rruga është bërë e pakalueshme, duke i izoluar jo vetëm nga aksi kryesor, por edhe nga toka bujqësore dhe varrezat e fshatit. Banorët thonë se kjo situatë po u pamundëson punën e përditshme dhe lëvizjen minimale.
“Prej gjashtë muajsh rruga është e prishur nga shiu. Jemi bllokuar totalisht, nuk punojmë dot tokat dhe nuk lidhemi as me rrugën kryesore, madje as me varrezat e fshatit”, shprehen ata.
Sipas ankesës, Bashkia Pogradec është vënë në dijeni për situatën, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete, ndërsa banorët pretendojnë se kanë marrë vetëm premtime.
Banorët kanë vënë në dispozicion edhe pamje filmike të gjendjes së rrugës, të cilat pritet të publikohen për të ilustruar situatën në terren.

