8.8 C
Pogradec
9.1 C
Korçë
9 C
Bilisht
8.4 C
Ersekë
8.2 C
Maliq
9.7 C
Liqenas
Tuesday, March 31, 2026

Peleshi nga Maliqi: Reforma territoriale duhet të jetë deri në fund bashkëpunim bipartizan! Nuk ka përçarje në PS, por…

- Advertisement -

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe drejtuesi politik i qarkut, Niko Peleshi, nga Maliqi:

Është e vërtetë që është krijuar komisioni për reformën territoriale-administrative. Lajmi i mirë është që deri tani kemi një bashkëpunim mbipartiak dhe shpresoj që edhe produkti final të jetë një produkt i përbashkët, pra të ketë dakordësi në të dyja forcat politike, sepse kjo do ta bënte reformën më të qëndrueshme. Nëse i referoheni varianteve që besoj kanë rrjedhur në media nga diskutimet e djeshme të grupit parlamentar të PS, ku janë prezantuar disa mendime, propozime dhe variante nga anëtarët e PS në këtë komision, unë nuk mund të nxitoj të jap një vlerësim. Natyrisht ka avantazhe dhe disavantazhe, por çdo variant që kemi dëgjuar deri tani, por edhe variantet që mund të paraqiten në komision nga anëtarë të tjerë që nuk janë pjesë e grupit të Partisë Socialiste, duhet të shqyrtohen me kujdes.

E rëndësishme është që produkti final duhet të orientohet nga nevoja për të rritur eficiencën e bashkive tona. Ka mënyra të ndryshme se si kjo arrihet, përmes harmonizimit të zonave rurale me zonat urbane. Një gjë e mirë e reformës së vitit 2015 është që për herë të parë patëm bashki që janë njëkohësisht rurale dhe urbane. Në qarkun e Korçës kemi fushën e dytë më të madhe bujqësore në Shqipëri. Me formulën para vitit 2015, me bashki urbane dhe komuna rurale të ndara, nuk mund ta shfrytëzonim këtë potencial. U bë një hap shumë i madh me bashkitë e ndërthurura urbane-rurale dhe kjo duhet pasur parasysh për të gjithë vendin, veçanërisht për qarkun tonë, në mënyrë që formula të çlirojë sa më shumë potencial dhe mundësi zhvillimi.

Unë mendoj që qarqet tona, bashkitë tona periferike, pra jo ato të metropolit, sot janë në një moment shumë të rëndësishëm reflektimi për shkak të tendencës së lëvizjeve migratore, që nuk mund t’i fshehim brenda vendit. Gjithmonë ka një tërheqje drejt metropolit; nuk është vetëm në Shqipëri, është një fenomen ndërkombëtar. I takon bashkive dhe pushtetit vendor të gjejnë formulën se si të zhvillojnë potencialet e tyre, në mënyrë që të mbajnë popullsinë të lidhur me territorin.

– A ekziston rreziku që të kemi një reformë që orientohet drejt riorganizimit të votave dhe i jep avantazh partisë në pushtet?

Absolutisht që nuk duhet të jetë në tavolinë ky faktor, faktori politik. Unë nuk jam dakord që ky faktor ka qenë edhe në reformën e viteve 2014–2015; madje jam dëshmitar i asaj kohe dhe nuk ka pasur një formulë politike që ka orientuar reformën përveç eficiencës. Besoj që ishte një hap shumë i mirë përpara, një hap cilësor drejt arkitekturës së re të bashkive tona, por siç e thashë, ka gjithmonë dinamikë dhe ka ardhur koha për një reformë të re. Uroj shumë dhe do të luaj edhe rolin që më takon si Kryetar i Kuvendit për të mundësuar një klimë sa më pozitive, ndonëse jo gjithmonë është e lehtë. Është një nga sfidat më të mëdha të atij pozicioni që të kemi një formulë bipartiake, e cila do të shuante edhe paragjykimet për një reformë të frymëzuar politikisht.

– A ka përçarje në PS?

Nëse i referoheni thashethemeve, unë nuk mund të komentoj thashetheme pa substancë politike. Nuk di çfarë do të thotë përçarje. Natyrisht ka diskutime. Orë të gjata diskutimi kemi pasur dje dhe kjo është e shëndetshme. Diskutimi nuk mund të quhet përçarje. Ne nuk jemi një formacion ushtarak pa mendime, pa frymë debati dhe pa demokraci të brendshme. Mendoj që i referoheni disa thashethemeve që nuk kanë lidhje me substancën politike të zhvillimeve të brendshme të një partie politike. Këto janë thashetheme pa asnjë kontekst politik.

– Për bashkitë minoritare

Nuk jemi ende te një version përfundimtar dhe nuk mund ta them tani. Por mund të konfirmoj që identiteti kulturor, etnokulturor dhe gjuhësor është një nga elementet e rëndësishme që duhet të merret dhe po merret në konsideratë nga komisioni i reformës. Pa dyshim është një faktor që duhet mbajtur parasysh. Për ne, ai mozaik etnokulturor dhe gjuhësor është një vlerë. Në rajonin tonë kemi minoritetin maqedonas, i cili është një pasuri për rajonin dhe duhet ruajtur.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit