Reforma që duan ta ripërdorin vetëm për qëllime politike!
Niko Peleshi nga Maliqi foli për reformën territoriale-administrative, ndërsa disa pyetje lindin natyrshëm për numrin tre të hierarkisë së pushtetit në vendin tonë dhe për drejtuesin e mazhorancës të qarkut Korçë. Së pari, sa herë që flasim për një reformë kaq të rëndësishme duhet të themi se çfarë nuk shkoi me atë parapraken? Së dyti, a ka një analizë mbi problematikat aktuale të pushtetit vendor? Së treti, duhet të na thonë përse është i nevojshëm ky ndryshim dhe çfarë të mirash sjell?
Realiteti që prekin qytetarët është se kemi një pushtet vendor pak eficent, pa pavarësi dhe që është kthyer në një bordero punësimesh për votuesit e pushtetit. Realiteti është që pushteti vendor është trajtuar gjithmonë e më keq nga pushteti qendror, një farë shtojce që e trajtojnë si të duan. Sot kemi hetime ose ndjekie penale në 2/3 e bashkive të vendit (të kryetarëve apo të drejtuesve kryesorë të tyre), i cili duket tregues se tashmë bashkia shikohet si një thelë pushteti që duhet ngrënë e ftohtë. Bashkitë nuk arrijnë që të krijojnë më shumë të mira për qytetarët e tyre dhe shumica e të ardhurave shkon për rrogat e administratës së stërfryrë (e cila është e nënpaguar veç të tjerave). Bashkitë janë kthyer edhe në instrumenta të tjetërsimit të pronësisë, ku nën maskën e iniciativave zhvillimore dhe të ligjeve po shërbejnë klientët e pushtetit me pjesëza pronash anekënd Shqipërisë.
Asnjë bilanc dhe indikator nuk i jep të drejtë reformës së parë, sepse reformat edhe kur bëhen bipartizante përfundojnë të keqzbatuara nga pushteti, pa mekanizma kontrolli dhe pa llogaridhënie. Imagjinoni që opozita po bën reformën me të njëjtët aktorë dhe me të njëjtën mazhorancë, e cila duke patur 90% të pushtetit vendor nën drejtimin e saj ka përkeqësuar me ndërgjegje dhe për interesa të saj funksionimin e tij.
Niko foli sot, por vetëm në kohën e ardhme. Ai duhet të na thoshte mbi atë që ka shkuar keq, përpara se të na thoshte përse duhet ti besojmë për herë të dytë për të njëjtën gjë. Thjesht, nuk mund ti besohet më!

