Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Korçë kanë vënë në pranga një 44-vjeçar, i cili u kap në flagrancë duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, në kundërshtim të plotë me rregullat e qarkullimit rrugor dhe legjislacionin në fuqi.
Burime zyrtare bëjnë me dije se gjatë kontrolleve rutinë në terren, efektivët e policisë kanë ndaluar automjetin që drejtohej nga shtetasi me iniciale E. L., banues në Korçë. Gjatë verifikimeve rezultoi se ai nuk dispononte leje drejtimi, çka solli menjëherë arrestimin e tij në flagrancë.
Drejtimi i mjetit pa patentë konsiderohet një shkelje e rëndë, e cila jo vetëm cenon rendin dhe sigurinë rrugore, por përbën edhe rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, ndërsa policia rrugore vijon kontrollet në akset kryesore dhe dytësore, me fokus parandalimin e shkeljeve që rrezikojnë jetën e qytetarëve.

