Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Korçë kanë vënë në pranga një 28-vjeçar, i cili u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
Sipas burimeve zyrtare, në pranga ka rënë shtetasi K. M., banues në fshatin Porodinë. Ai u ndalua në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës, gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e policisë rrugore.
Gjatë verifikimeve, efektivët konstatuan se i riu drejtonte mjetin pa qenë i pajisur me leje drejtimi, një shkelje që përbën vepër penale sipas legjislacionit në fuqi.
Pas ndalimit, ndaj 28-vjeçarit u kryen veprimet procedurale dhe ai u arrestua në flagrancë, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Policia Rrugore vijon kontrollet në akset urbane dhe interurbane, duke theksuar se drejtimi i mjetit pa leje përbën rrezik serioz për jetën e qytetarëve dhe do të ndëshkohet sipas ligjit.

