ILIR MEDINI, “PËLLËMBA” DHE POGRADECI I VITEVE 2004-2008
Mjafton të thuash Medini dhe të gjithë e kujtojnë. Trajneri karizmatik, me ato vetullat indiferente por me zemrën dhe sytë të dashuruar pas futbollit, simbol i futbollit pogradecar.
Luajti futboll deri me U-19 si mesfushor i majtë dhe më pas iu përkushtua trajningut që nga viti 1994. Me brezin 1982–83 ngriti ekipin e parë të Pogradecit në sezonin 2004–2005, duke e ngjitur nga Kategoria e Dytë në të Parën, së bashku me ndihmësin Ardian Abazaj. Me Abazajn drejtoi sërish ekipin në vitet 2006–2008, duke qenë pretendentë për në Superiore.
Kulmi i suksesit ishte ngjitja në Kategorinë e Parë dhe titujt kampion me U-17 dhe U-19.
Në ndeshjen e vështirë të play-out ndaj Mamurrasit, tregoi zgjuarsi dhe vendosmëri në zgjedhjet që bëri, duke siguruar qëndrimin në kategori. Ky ishte edhe viti i fundit në drejtim, por skuadrës nuk iu nda, edhe pas largimit, vinte sërish në stadium dhe ndiqte ndeshjet e skuadrës. Kishte aq ndikim, sa la vend edhe sot e kësaj dite.
Ishte kërkues dhe motivues në pankinë, me shprehje që bënte tifozët të qeshnin, si ajo drejtuar portierit: “O roje!”. Sa i përket “pëllëmbës”, nuk ia kursente ekipit të të rinjve, një metodë disiplinore, simbol i rregullit dhe seriozitetit.
Mbështetjen ndaj të rinjve e pasqyronte më së miri edhe një artikull në gazetë asaj kohe i Pëllumb Starovës, me titull: “Medini: Dorën të rinjve.”
Njëherë tregohet se kur klubi pati vështirësi financiare, vajti dhe i tërhoqi vetë pagat e disa lojtarëve të rinj, dhe ua dorëzoi familjeve të tyre.
Një njeri shumë korrekt dhe komunikues, brenda dhe jashtë fushës së gjelbër.
I bukur mbetet sezoni me lojtarë si Jahaj, Çerepi, Kërthi, Çollaku, Elmazi, Muska, Molla dhe dyshja sulmuese Bastriu-Pustina, ku taktika Mediniane me aksionet e Mollës nga krahu, që në sekondat e para, shpesh përfundonte me golat e dyshes së sulmit.
Sot, Ilir Medini jeton dhe punon në Tiranë, por mbetet aktiv me analiza dhe komente për futbollin pogradecar. Qytetit nuk i ndahet, muajt e verës i kalon sërish në Pogradec, duke ruajtur lidhjen e fortë me shokët dhe brezat që formoi.

