Në orët e para të mëngjesit të sotëm është tentuar të vidhet një argjendari në qytetin e Pogradecit. Pronari i kësaj argjendarie, Lytfi Alia, tregon se kjo është hera e disatë që biznesi i tij sulmohet, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar.
Ai thekson se në raste të tjera personat që kanë hyrë kanë mundur të marrin sende me vlerë nga argjendaria, ndërsa ditën e sotme, pas rënies së alarmit, janë larguar pa marrë asgjë.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, ai bën me dije se bëhet fjalë për 3 persona të maskuar, të cilët e kanë hapur derën e dyqanit me kriko makine.
Lytfiu shton se në grabitjet e mëparshme ka pësuar dëme të mëdha, mbi 15 mijë euro, dhe shpreson që kësaj here policia të bëjë të mundur identifikimin e autorëve, pasi bëhet fjalë për një rast të përsëritur.

