Shkolla 9-vjeçare “Naim Frashëri” në Korçë vijon të mbetet një hapësirë e ndarjes etnike për fëmijët nga komunitetet rom dhe egjiptian, të cilët përbëjnë mbi 90 për qind të nxënësve të regjistruar.
Për këtë situatë, Eva Tare, Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, shprehet se historia e këtij fenomeni nis që në vitin 2014, kur një grup grash evidentuan problematikën, për të cilën më pas është shprehur edhe një gjykatë ndërkombëtare, duke vendosur dëmshpërblim për individët të cilëve u janë shkelur të drejtat.
Prej disa muajsh ka nisur procesi i desegregimit, ndërsa në shkollë është vendosur edhe një mediator për të mbikëqyrur këtë proces. Gjithashtu, evidentohet se aktualisht janë 13 nxënës që nuk i përkasin pakicave komunitare, çka ka nisur të “rrëzojë” gradualisht muret e segregimit.
Tare thekson se një pjesë e nxënësve tashmë janë rehabilituar në jetën sociale, ndërsa problemi kryesor aktual në lidhje me diskriminimin mbetet dhënia e bursave për rreth 260 fëmijë të kësaj shkolle.
Segregimi është ndarja e qëllimshme ose faktike e njerëzve në grupe të veçuara, një fenomen që prodhon dhe thellon diskriminimin.

