Rruga e re që lidh Pogradecin me Doganën e Tushemishtit, një ndër investimet më të përfolura të viteve të fundit në këtë zonë turistike, duket se ka nisur të tregojë shenjat e para të lodhjes shumë më herët se sa pritej. Asfalt i plasur në disa segmente, trase e batuar brenda pak muajsh, dhe reliefe të deformuara që rrezikojnë drejtuesit e automjeteve, janë tashmë pamje të zakonshme përgjatë këtij aksi që kalon përmes fshatit Gurras. Kjo rrugë, që u inaugurua me bujë më 1 tetor të vitit 2024, ishte paraqitur si një projekt modernizues që do t’i jepte frymë të re turizmit liqenor dhe qasjes në kufi, por sot duket më shumë si një shembull i mungesës së kontrollit teknik dhe zbatimit të standardeve.
Banorët dhe udhëtarët që kalojnë çdo ditë aty flasin për një rrugë që “po ulet” nën rrotat e mjeteve. Në disa zona, asfalti është zhytur disa centimetra, duke krijuar zhytje që në të vërtetë fshehin një problem të madh, mungesën e stabilitetit të terrenit dhe cilësisë së punimeve. Specialistë të ndërtimit, që nuk duan të citohet emri, pohojnë se kjo ndodh zakonisht kur shtresat bazë nuk janë ndërtuar me trashësinë dhe materialet e duhura, ose kur drenazhi i ujërave nuk është projektuar siç duhet. Në një rrugë që ndodhet pranë liqenit dhe që kalon përmes tokash të buta, mungesa e kontrollit gjeoteknik është një mëkat teknik që hakmerret shpejt.
Vlera e projektit nuk është e vogël. Loti i dytë i aksit Pogradec–Tushemisht–Dogane, që përfshin pikërisht segmentin ku janë vërejtur këto deformime, është ndërtuar nga bashkimi i kompanive “4 A-M” dhe “GPG Company”, me një kontratë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit në vlerën 3.48 milionë dollarë amerikanë, të financuar nga Banka Botërore. Punimet parashikonin rikonceptim të plotë të infrastrukturës rrugore, trotuareve, ndriçimit publik dhe peizazhit urban. Megjithatë, sot, vetëm pak muaj pas dorëzimit, tabloja është e zymtë. Ndërkohë që shtresat e asfaltit po lëkunden, ndriçimi mungon, sinjalistika horizontale është ende e paplotë dhe bordurat janë zhvendosur si pasojë e zhytjes së bazamentit, të gjitha këto shërbime ishin të planifikuara edhe në projekt!
Përtej vlerës së madhe financiare, çështja që ngrihet është cilësia e vetë projektit dhe mbikëqyrja gjatë punimeve. A janë respektuar parametrat teknikë të tenderit? A janë kryer testime laboratorike për materialet e përdorura? A janë bërë kontrollimet për densitetin dhe përputhshmërinë e shtresave? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje, jo vetëm për transparencë publike, por për vetë sigurinë e qytetarëve që përdorin këtë rrugë çdo ditë. Nëse një rrugë që kushton mbi tre milionë dollarë nis të shkatërrohet brenda vitit të parë, atëherë diçka nuk ka shkuar mirë, ose në projekt, ose në zbatim.
Në terren, fenomenet e “uljes” së asfaltit mund të shpjegohen me mungesën e drenazhit anësor dhe me faktin që shtresat nën asfalt nuk janë kompaktuar mjaftueshëm. Ujërat që qëndrojnë nën sipërfaqe krijojnë boshllëqe dhe e bëjnë shtresën rrugore të “mbytet” ngadalë. Për një rrugë që kalon në një zonë kënetore, kjo është e papranueshme. Ndaj edhe dyshimet për cilësinë e punimeve janë të arsyeshme, por duhen shoqëruar me fakte, inspektime dhe raportime të institucioneve përkatëse.
Në fund, mbetet për t’u parë nëse autoritetet do të ndërhyjnë për të inspektuar situatën dhe për të verifikuar nëse rruga është ndërtuar sipas standardeve të miratuara. Sepse një projekt i tillë, që synonte të shërbente si “karta e vizitës” e hyrjes në Pogradec nga Maqedonia e Veriut, po rrezikon të kthehet në një kujtesë të hidhur për mënyrën sesi shpesh investimet publike realizohen pa vizion afatgjatë, pa përgjegjësi teknike dhe pa ndjenjën e detyrimit ndaj qytetarëve. Dhe rruga që duhej të çonte drejt doganës e zhvillimit, duket se po fundoset nën peshën e vet.

