Rritet numri i rasteve me probleme të shëndetit mendor në qarkun e Korçës
Situata e shëndetit mendor në qarkun e Korçës paraqitet më shqetësuese krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave nga Qendra e Shëndetit Mendor, vihet re një rritje e numrit të personave që kërkojnë ndihmë, si dhe një ulje e moshës së fillimit të problemeve mendore. Gjithnjë e më shpesh, në qendër paraqiten të rinj dhe adoleshentë që përballen me ankth, depresion apo varësi të ndryshme.
Në Korçë, mesatarja ditore e personave që kërkojnë ndihmë psikologjike arrin në 10 deri në 15 raste, duke përfshirë kategori të ndryshme: të varurit nga substancat narkotike, përdoruesit e tepruar të teknologjisë, të moshuarit e vetmuar dhe të rinjtë që përballen me vështirësi sociale apo emocionale.
Statistikat botërore tregojnë se më shumë se një në katër persona vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, ndërsa rreth 70 për qind e tyre nuk trajtohen.
Ky fenomen, sipas specialistëve, lidhet me disa faktorë kryesorë: distanca e zonave rurale nga qendrat urbane, mungesa e profesionistëve të fushës në institucionet publike, mungesa e institucioneve rezidente për personat e vetmuar që kërkojnë mbështetje psikosociale, si dhe fshehja e problemit për shkak të paragjykimeve shoqërore.

