Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë mbrëmjes së djeshme në fshatin Çërravë të Pogradecit, ku një stallë me bagëti është shkrumbuar plotësisht nga flakët.
Sipas burimeve nga terreni, dëmet janë të konsiderueshme, pasi përveç shkatërrimit të ndërtesës janë djegur edhe dhjetëra krerë bagëti.
Duke qenë se stalla ndodhej në një zonë të largët nga banesat e fshatit, zjarri është konstatuar vetëm mëngjesin e sotëm nga pronari i saj, Agjërim Kapa, i cili kishte shkuar për të kryer shërbimet e përditshme.
Në një prononcim jashtë kamerave, Kapa, në gjendje të rënduar emocionale, tha se dëmi është i jashtëzakonshëm, pasi më shumë se 170 dele janë djegur të gjalla. Sipas tij, ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike ose nga ndonjë pakujdesi.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe për përcaktimin e shkakut të zjarrit.
Gjithashtu, Emergjencat Civile të Bashkisë Pogradec pritet të mbërrijnë në zonë për të vlerësuar dëmet materiale dhe për të asistuar familjen e prekur nga kjo fatkeqësi.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, por humbjet në gjënë e gjallë dhe dëmtimet materiale janë shumë të mëdha.

