Fermerët e fushës së Maliqit, veçanërisht ata në fshatin Zvirinë, po përballen këtë vit me humbje të mëdha për shkak të dëmtuesit të njohur si “flutura e patates”. Ky insekt ka prekur rëndë kulturën më të rëndësishme të zonës, duke i detyruar shumë bujq të mos i shkulnin patatet, pasi produkti ka humbur vlerën tregtare.
Fermerët shprehen se mungesa e ujit për vaditje dhe thatësira e zgjatur kanë ndihmuar përhapjen masive të insektit, duke sjellë dëme të konsiderueshme. Ata shprehen të shqetësuar se situata mund të përsëritet edhe në vitet e ardhshme, nëse nuk merren masa konkrete për parandalim.
Sipas specialistëve të bujqësisë, “flutura e patates” është shfaqur për herë të parë në këtë zonë rreth shtatë vite më parë dhe dëmton si sasinë, ashtu edhe cilësinë e prodhimit. “Ky dëmtues është ndër më problematikët, pasi prek direkt produktin final, duke sjellë humbje të mëdha për fermerët,” – shprehet Arben Dulellari, drejtor i bujqësisë pranë Bashkisë Maliq.
Ekspertët rekomandojnë një sërë masash parandaluese për të kufizuar përhapjen e insektit, si mbjellja në kohë dhe në thellësi më të madhe, pastrimi i tokës, ujitja e bollshme, përdorimi i kurtheve biologjike dhe, vetëm si alternativë të fundit, trajtime kimike të kontrolluara.
Kultivimi i patates zë rreth 720 hektarë në Maliq çdo vit, duke e bërë këtë kulturë një nga më të rëndësishmet për ekonominë bujqësore të zonës. Por, sipas specialistëve, ndryshimet klimatike dhe kostot e larta për mbrojtjen e kulturave po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë ruajtjen e prodhimit tradicional të patates në këtë fushë.

